Shkolla profesionale në Vushtrri, vlerësohet si shembull suksesi
Ahmet Maholli/RTK
Me gjashtë profile të ndryshme, Shkolla e mesme e lartë profesionale, ‘Bahri Haxha’, në Vushtrri, vlerësohet si shembull suksesi, në përgatitje të profesionistëve për treg të punës. Ky institucion mbetet ndër më të pajisurit me teknologjinë e fundit për realizimin e mësimit praktik.
Shkolla e Mesme e Lartë Profesionale "Bahri Haxha" në Vushtrri, vlerësohet si shembull suksesi për një arsim cilësor. E pajisur me kabinete, laboratore , firma ushtrimore si edhe me mjete të konkretizimit për lënëdë të ndryshme, ka mundësuar realizimin me sukses të praktikës profesionale, tash e sa vite. Ofron gjashtë drejtime me profile përkatëse, si bujqësi, ekonomi, Kimi-teknologji, tekstil, ndërtimtari dhe hotelieri, duke përgatitur të shkolluar për treg të punës.
Ndër kabinetet e pajisura me tërë makinerinë e qepjes është ai I tekstilit që sipas nxënësve ofron kushte dhe mësim praktik cilësor.
“Neve na janë mundësuar shumë me këto makina industriale, speciale sidomos ato industriale që mund të qepim psh uniforma, fustane dhe këto që po i qepim tash. Ne përveç teorisë që e mësojmë për qepje, ne bëjmë edhe praktikë me këto makina, dhe me këto që i kemi tash, ne përgatitemi shumë mirë për tregun e punës. Si ta përfundojmë shkollën ne kemi mundësinë menjëherë të hyjmë në tregun e punës. Ose të bëjmë vetëpunësim, ose të hapim ndonjë loka...Jemi të gatshëm për të filluar punë pas shkollimit”, tha për RTK-në, Eriona Ademi, nxënëse shkolla profesionale drejtimi i tekstilit.
Kurse, për nxënësen Diana Zhutaj, kushtet në përgjithësi janë shumë të mira.
“I kemi të gjitha makinat, veç a jemi të interesuar të mësojmë se të gjitha janë. Kushtet janë shumë të mira”, theksoi ajo.
Mësimdhënësja, Rona Karaça, theksoi se makineria në shkollë është e përsosur.
“Është makineria më e re dhe është e tëra aktive dhe funksionale sepse i kemi makinat edhe për qepje, edhe për qëndisje me të cilat bëjmë logo të ndryshme. Krejt mjetet e punës i kemi në dispozicion. Sa i përket anës sonë si mësimdhënës japim maksimumin për nxënësit dhe i përgatisim maksimalisht dhe përveç si i përgatisim për tregun e punës në kabinetin e tekstilit i cili është i përgatitur me të gjitha mjetet e punës, këta nxënës mbajnë disa orë në kabinetin e tekstilit dhe disa orë i vendosim nëpër biznese të ndryshme ku mund të aftësohen edhe më tepër dhe të përgatiten për tregun e punës”, tha ajo.
Kjo shkollë profesionale nëpër vite ka qenë edhe përfituese e granteve të ndryshme. Drejtoria vë në pah se ky institucion mbetet ndër më të pajisurat me teknologjinë e fundit për realizimin e mësimit praktik.
“Shkolla Profesionale ‘Bahri Haxha’, është e pajisur me makineri, mjete të ndryshme për realizimin e moduleve të praktikës profesionale, për të gjitha profilet në të cilat ofrohet aftësimi profesional i nxënësve të komunës së Vushtrrisë. Pajisja e tyre me laboratore, kabinete dhe punëtori bën që këta nxënës të marrin kompetenca të duhura kur të vijë koha kur të kyçen në tregun e punës, por, edhe për t’u bërë ndërmarrës të rinj”, theksoi Bashkim Kovaçi, drejtor i shkollës “Bahri Haxha”.
Drejtoria komunale e arsimit ka shprehur gatishmëri të përhershme për për avancimin e përgatitjeve profesionale për të rinjtë e Vushtrrisë.























