Kryeqyteti shënoi Ditën Botërore të Mjedisit me shumë aktivitete
BKT
Foto: Aurora Verbica
Kosovë

Kryeqyteti shënoi Ditën Botërore të Mjedisit me shumë aktivitete

Aurora Verbica/ RTKlive

Në shënim të “Ditës Botërore të Mjedisit" aktivitetet dhe projektet nuk munguan në qytetin e Prishtinës.

Organizata "YARL" në bashkëpunim me Drejtorinë e Parqeve dhe Hapësirave Publike nga komuna e Prishtinës, kanë organizuar mbjelljen e luleve, perimeve, pemëve në disa lagje specifike në kryeqytet.

Bashkëpunimet e aktivistëve në lagjen ‘Ulpiana’, rreth orës 14:00, kishin nisur punimet e procesit të mbjelljes.

Donika Çetta, drejtoreshë e Hapësirave Publike dhe Parqeve në Komunën e Prishtinës tha për RTK-në se aktivitetet e tilla janë të nevojshme për qytetarët e vendit, ku qëllimi i tyre qëndron tek ruajta e ambientit dhe rigjenerimi i hapësirave të degraduara.

"Ky projekt, të cilin jemi sot duke e implementuar është që nga viti i kaluar, ku është gjithëpërfshirje e komunitetit në lagjen ‘Ulpiana’ dhe kërkesë e tyre ka qenë krijimi i kopshteve urbane, të mblidhen dhe të kontribuojnë qytetarët", tha Çetta.

Gjithashtu, lidhur me çështjen e përzgjedhjes së pemëve dhe luleve, Çetta tha se të gjitha i kanë zgjedhur qytetarët.

"Sot, ne vetëm po e bëjmë së bashku me komunitetin mbjelljen dhe mbushjen këtyre kopshteve urbane", shtoi drejtoresha e Parqeve.

Kosovare Sadiku, drejtoresha e organizatës ‘YARL’, tha se rëndësia e këtij aktiviteti është që të ketë mobilizim të komunitetit, jetëgjatësi të fermave urbane, duke i rifreskuar me erëza të ndryshme të cilat kanë rëndësi për shëndetin.

"Në këto ferma urbane ka llojllojshmëri të mbjelljes, prej luleve deri te erëzat që i vendosim në tryezat tona çdo ditë", tha Sadiku.

Ndërsa, pjesë e këtij projekti ishte edhe Florent Salihu, aktivisti me aftësi të kufizuara, i cili bëri mbjelljen e luleve.

"Unë jam ndjerë shumë mirë, kur e kam bërë mbjelljen e luleve. Mendoj se ky aktivitet është shumë i mirë për ne dhe kushtet janë shumë të drejta dhe i plotësojnë kriteret", tha Salihu.

"Mua më kanë pëlqyer gjithmonë lulet, i kam si hobi", shtoi aktivisti 18-vjeçar.


MË SHUME NGA Kosovë