Protestë për proteza | VIDEO
RTK
Kur Kosova po shënon 25-vjetorin e çlirimit, duke nderuar ata që dhanë jetën për liri, të tjerët që humbën gjymtyrët nga minat, zgjodhën që të protestojnë. Ata kërkojnë ndihmë nga shteti që të pajisen me proteza për t`iu mundësuar të lëvizin.
Ka 24 vjet që Agron Ademajt i duhet protezë për të ecur, pasi njërën këmbë e humbi duke shkelur në një minë.
“Kjo protezë ka afatin dy vjet, pas dy vjetësh kjo deformohet , ta vret këmben e çelë në gjakë, na kërkojmë mbështetje institucionale ma shumë se dy vjet”, Agron Ademaj, anëtar i Shoqatës së Plagosurve Civilë.
Fatin e njëjtë e patën edhe këta persona që protestuan në kërkim të plotësimit të kërkesave, siç janë trajtimi me proteza dhe rritja e pensioneve.
“Për të treguar pakënaqësitë tona që Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë kanë bërë kundër invalidëve civilë të luftës, ku e ka bërë një diskriminim ekstrem të madh ku invalidët e luftës i ka përkrah 100 për qind, ndërsa neve na përkrah me një shumë pothuajse solide, ndërsa dallimi i protezës së invalidit civil të luftës apo si invalid i luftës nevojat janë të njëjta si një invalid i luftës edhe një invalid civil, ai ka nevojë për protezë, ne kemi nevojë për proteza”, tha Jeton Kelmendi, anëtar i kryesisë së Shoqatës së Plagosurve Civilë.
“Kryeministri thotë që të gjithë qytetarët me statutin e invalid të luftës duhet të sigurohet pagesa për proteza, ndërsa ministri Vitia qohet dy dite pas vendimit të kryeministrit dhe merr vendim dhe specifikon vetëm kategorinë e invalidëve të UÇK-së”, tha Avni Lubovci, kryetari i Shoqatës së të Plagosurve Civilë.
Të plagosurit civilë nga minat paralajmëruan edhe grevë në rast se nuk u plotësohen kërkesat.























