Kaçaniku shënoi me një akademi festive 25-vjetorin e Ditës së Çlirimit
V.Th. RTKlive
Me rastin e 25 vjetorit të Ditës së Çlirimit të Kaçanikut, është mbajtur akademi festive në Shtëpinë e Kulturës “ Xheladin Kurtaj”, të këtij qyteti.
Në fjalën e tij kryetari i Komunës, Besim Ilazi, tha se 11 Qershori paraqet një ditë të veçantë të historisë së Kaçanikut e të Kosovës të krijuar me sakrificën sublime të popullit dhe me shpirtin e madh e human të botës së përparuar, që parandaloi një epokë të rëndë të gjenocidit e të përhumbjes e që riktheu forcën e shpresës.
“Sot 25 vjet më parë, pas përballimit me sukses të kërcënimit barbar serb që synonte shfarosjen e shqiptarëve nga tokat e pronësia shekullore, në qytetin tonë u rindez flakadani i shpresës për jetën e lirinë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, bashkë me popullin tonë martir e të papërkulur, me 11 qershor të vitit 1999, stolisën shtegun e përgjakur të historisë sonë, me ngjyrën e ndezur të triumfit”, tha Ilazi, njofton zyra për informim e kësaj komune.
Ai gjithashtu tha se sot, nderojnë luftën e shenjtë dhe sakrificën e gjithë ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkulje e përjetshme ndaj invalidëve të luftës, që nuk kursyen gjymtyrët e tyre për çlirimin e atdheut.
“Ndajmë respektin për prindërit tanë, vëllezërit dhe motrat tona që ishin pjesë e pandalshme e kontributit dhe sakrificës në luftën për liri. Bashkë nderojmë e kujtojmë sot të pagjeturit, të cilët edhe pas kaç shumë vitesh u mungojnë familjeve dhe Komunës së Kaçanikut”, tha mes tjerash kryetari Ilazi në fjalën e tij.
I pranishëm në këtë akademi ishte edhe Komandant Ali Ahmeti, Gjeneral Kudusi Lame, të cilët iu drejtuan të pranishmëve me një fjalë përshëndetëse. Në emër të OVL-së UÇK -së dega në Kaçanik të pranishmit i përshëndeti dhe uroi për Ditën e Çlirimit- kryetari i kësaj organizate Xhabir Zharku.
Kryetari Besim Ilazi, me motivacionin për liri, nderoi me mirënjohje:
Agim Bajrami, Qamil Ilazi, Brigada 162, Bataloni I, Bataloni II, Bataloni III, Policia Ushtarake, Spitali Ushtarak, Gj. Kudusi Lame, Ali Ahmeti, Sali Bajra, Ismal Raka, Osman Krasniqi, Hebib Shehu, Bedri Kyqyku, Ilaz Ramajli, Berat Luzha, Rexhep Bunjaku, Gafurr Zharku, Ramazan Shaqiri, Halil Palloshi, Fabrika e Bukës Musli- company.
Me këtë rast u shfaq edhe një program artistik nga ShKA “ Gryka e Kaçanikut” dhe ShKA “ Tingujt e Vendlindjes”.























