Kërkohet angazhim të kryeprokurorëve në rastet penale
K. K. / RTKlive
Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi ka mbajtur kolegjiumin e rregullt me të gjithë kryeprokurorët dhe përfaqësuesit e prokurorive të vendit, në të cilin kanë marrë pjesë edhe prokurorët e zyrës së kryeprokurorit të Shtetit dhe përfaqësuesja e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Edita Kryeziu.
“Në këtë takim, U.d. kryeprokurori Kelmendi ka diskutuar me kryeprokurorët dhe përfaqësuesit e prokurorive për unifikimin e praktikave lidhur me autorizimet e Prokurorit të Shtetit për Policinë, si dhe për veprimet procedurale të cilat i ndërmarrin prokurorët para dhe gjatë hetimeve.
Kelmendi informoi kryeprokurorët se do të nxjerr udhëzim të detyrueshëm për të gjithë prokurorët e shtetit lidhur me këtë çështje.
Gjithashtu sipas komunikatës, një temë tjetër me rëndësi që u diskutua në këtë takim ishte edhe nevoja për caktimin e prokurorëve përgjegjës në secilën prokurori për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet penale, si dhe përfaqësimi i institucionit të Prokurorit të Shtetit në aktivitetet zyrtare brenda dhe jashtë vendit.
Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka kërkuar nga kryeprokurorët e prokurorive që të angazhohen maksimalisht në rritjen e efikasitetit në trajtimin e rasteve penale dhe të kenë një rol më proaktivë në shqyrtimin e detyrueshëm të hetimeve për çdo tre (3) muaj, siç është përcaktuar me dispozitën e nenit 154 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, vazhdon njoftimi.























