IKD kërkon rishikim të Projektligjit që mundëson caktimin kohor për gjykime
M.P. / RTKlive
Projektligji për realizimin e të drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm kohor po cilësohet si mundësi për gjykime jo të drejta me rastin e dhënies së kohëzgjatjeve jo të arsyeshme.
Një vlerësim të tillë e ka dhënë Instituti i Kosovës për Drejtësi, përmes raportit “Gjykimi brenda afatit të arsyeshëm”, i cili u shpalos sot para medieve. Sipas hulumtuesit të lartë të IKD-së, Gzim Shala, projektligji që synon të rregullojë të drejtën për qytetarët për një gjykim në kohë të arsyeshme ka shumë probleme. Ai tha se Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj), thekson se, adresimi më adekuat i shkeljes së gjykimit brenda një afati të arsyeshëm kohor, është parandalimi.
“Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të ndërmarrë masa për ta kthyer gjyqësorin në binarë. Kuptohet, masat në asnjë rrethanë nuk duhet të tejkalojnë kompetencat e Qeverisë dhe të ndërhyjnë në punën e institucioneve të sistemit të drejtësisë”, tha Shala, duke shtuar që Qeveria së pari duhet të respektojë obligimet që ka.
Flamur Kabashi, hulumtues i Institutit të Kosovës për Drejtësi tha se Projektligji nuk përcakton situatë praktike në rastet kur afati prej 120 ditëve nuk është i mjaftueshëm.
Ai gjithashtu theksoi se kushtëzimi procedural për kompensim të dëmit për shkak të shkeljes së gjykimit brenda afatit kohor, rasteve ju krijon hapësirë të administrohen.
“Kushtëzimi procedural për kompensimin e dëmit për shkak të shkeljes së gjykimit brenda një afati të arsyeshëm kohor me kërkesën për përshpejtimin e procedurës, lë të amnistuara rastet kur kjo e drejtë është shkelur, por gjyqtari nuk ka kërkuar përshpejtim të procedurës”, tha Kabashi.
IKD gjatë kësaj konferencë për media dhe në raport i ka rekomanduar Ministrisë së Drejtësisë që të bëjë rishikimin e dispozitave ligjore.























