Kuvendi i Ferizajt mban mbledhje, asamblistët marrin disa vendime
BKT
Kosovë

Kuvendi i Ferizajt mban mbledhje, asamblistët marrin disa vendime

K. K. / RTKlive

Komuna e Ferizajt ka njoftuar se Fabrika e Ujit në Talinovc të Muhaxherëve i është bartur Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Bifurkacioni”.

“Gjatë ditës së sotme është mbajtur mbledhja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, e kryesuar nga kryesuesi Xhavit Zariqi, ndërkaq kanë marrë pjesë edhe drejtorët e drejtorive komunale. Në këtë mbledhje drejtorja e financave, Sebahate Ajeti-Sadiku, para anëtarëve të KK-së ka prezantuar raportin financiar për periudhën janar-qershor të këtij viti. Po ashtu, është diskutuar edhe raporti i auditimit për pasqyrat financiare për vitin 2023”, thuhet në njoftimin e komunës.

Sipas njoftimit, me shumicë votash është aprovuar edhe statuti unik i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare e adapotuar me specifikat e kësaj qendre, kurse hollësi për këtë statut ka dhënë drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, dr. Kemajl Emini.

Ndërsa drejtori i Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Balton Dërguti, ka paraqitur edhe ndryshimet që janë bërë në Strategjinë për Zhvillimin Ekonomik Lokal të Komunës së Ferizajt për periudhën kohore 2024-2034.

U diskutuan edhe disa propozim-vendime për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pjesëve të ngastrave 626-2 Z.K. Babush i Ri, propozim-vendim për shpalljen e interesit të përgjithshëm të pjesës së ngastrës kadastrale; 2435-1 dhe 2435-2 Z. K. Ferizaj, pronë private, me qëllim të këmbimit me pjesën e parcelës kadastrale 180-10 Z. K. Talinovc i Jerlive, pronë e komunës së Ferizajt.

“Në këtë mbledhje drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Afrim Llabjani, ka bërë propozim -vendimin paraprak për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të objekteve të institucioneve parashkollore – çerdheve, por në sallë nuk pati kuorum dhe ky diskutim u shty për ndonjë mbledhje tjetër”, thuhet në njoftim.

Po në këtë mbledhje është diskutuar për propozim-vendimin për rishqyrtimin e vendimit me nr. 01., nr. 52, të datës 30.05.2024, por edhe për propozim-vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit nr. 01, nr.33 të datës 30.04.2024.

“Pika shtesë në këtë mbledhje ishte edhe propozim-vendimi për hartimin e planit zhvillimor komunal 2025-2033 të komunës së Ferizajt, propozim-vendimi i emërtimit të sheshit publik ‘Adem Demaçi’, si dhe propozim-vendimi për bartjen e asetit (Fabrikës së ujit) në Talinoc të Muhaxherëve, Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Bifurkacioni”, thuhet në njoftimin e komunës së Ferizajt.


MË SHUME NGA Kosovë