Në Podujevë mbahet festivali për fëmijë `Bëje shqiponjën`
Valbona Thaçi / RTKlive
Komuna e Podujevës njofton se në natën e tetë të Manifestimit "Ditët e Diasporës" është mbajtur Festivali për fëmijë "Bëje shqiponjën".
Ky Festival që është organizuar në bashkëpunim me Organizatën Oaktiv ka mbledhur fëmijë të shumtë në Sheshin "Katër Dëshmorët".
Kryetari i Komunës Shpejtim Bulliqi, i uroi fëmijët që të kalojmë sa më mirë dhe të kënaqen në këtë aktivitet të përgatitur për ta. Njëkohësisht e ka falënderuar përfaqësuesin e Oaktiv për organizimin e shkollës verore, ku fëmijët, përfshirë edhe ata nga diaspora kanë zhvilluar aktivitete të ndryshme.
E përfaqësuesi i Oaktiv, Genc Rashiti, tha se ideja për këtë Festival ka dalë pikërisht nga shkolla verore.
Me një fjalë rasti të pranishmëve u është drejtuar edhe përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Hamdi Reçica.
Në kuadër të këtij Festivali përveç këngëve, recitimeve e valleve të performuara nga fëmijët, pati edhe këngë e valle nga Shoqëria Kulturore Artistike "Flaka e Llapit".