Inaugurohet busti i heroit Rrustem Bruqi
V.Thaçi / RTKlive
Është inauguruar sot busti i heroit Rrustem Bruqi, në sheshin që mban pikërisht emrin e tij, në Isniq të Deçanit.
Në pamundësi për të qenë i pranishëm, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i përcolli familjes Bruqi një telegram të cilin e lexoi moderatori i ceremonisë.
Në letër, Kurti ka theksuar se historia moderne e Kosovës dhe veçanërisht gjysma e dytë e shekullit XX, është e dendur me ngjarje dhe procese që lidhen me personalitete të caktuara historike, në biografitë e të cilëve mund të lexohet vetë historia e Kosovës.
“I tillë është edhe rasti i Rrustem Bruqit, jetëshkrimi i të cilit mund të lexohet edhe si një përshkrim i modelit kulturor të intelektualit të angazhuar dhe patriotit të përkushtuar për vendin dhe për kombin e tij”.
“E them këtë për Rrustem Bruqin duke qenë në dijeni të jetës së tij aq të ngjeshur me aktivitete, përkatësisht të veprës së tij patriotike që nga rinia e hershme e derisa ra dëshmor, këtu e 26 vite më parë”, ka shkruar Kurti në letërn e tij.
Rrustem Bruqi lindi më 1958, ndërsa i regjistroi studimet për jurisprudencë në Universitetin e Prishtinës më 1978, vetëm tetë vite pas themelimit të universitetit. Sipas Kurtit, “t’i vijoje studimet universitare atë kohë ishte edhe një akt patrioitizmi në vetvete”.
Tutje kryeministri ka thënë se Bruqi, ishte i angazhuar qysh nga demonstratat e pranverës së vitit 1981, ndërsa thotë se ai u kthye në një njeri tejet aktiv, duke i shfrytëzuar të gjitha rrugët dhe metodat, legale dhe ilegale, paqësore dhe të armatosura, për organizime dhe për rezistencë, për aktivizëm dhe deri për luftë çlirimtare.
“Kur i dëgjoni rrëfimet nga të afërmit dhe shokët e Rrustemit apo kur lexoni për jetën e tij nëpër tekste biografike, e kuptoni që një jetë e kaluar me aq shumë aktivitete si në Isniq e në Deçan sa ishte në Kosovë, ashtu edhe gjatë katër viteve që i kaloi në Gjermani, nuk mund të përmbyllej ndryshe veçse ashtu si u përmbyll. Andaj natyrshëm, në qershor të vitit 1998, Rrustemi u kthye nga Gjermania në Kosovë duke iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në frontet e luftës. Dhe po kaq natyrshëm, Rrustem Bruqi ra dëshmor më 6 korrik 1998, duke e përmbyllur jetën dhe veprën e tij me aktin më sipëror të një individi për liri, si dëshmor i popullit dhe vendit të tij në luftën e tij të drejtë për çlirim. Lum familja Bruqi dhe Isniqi që e rriti e formoi dhe lum Kosova që e pati ushtar të saj deri në vdekjen e tij, Rrustem Bruqin, dëshmorin e lirisë së Kosovës. Lavdi Rrustem Bruqit dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë”, thuhet në telegramin e Kurtit drejtuar familjes Bruqi.
Në këtë ngjarje e pranishme ishte zëvendëskryeministrja njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz.