Përurohet projekti i parkut rekreativ ‘Udha e Gurit’|Video
BKT
Kosovë

Përurohet projekti i parkut rekreativ ‘Udha e Gurit’|Video

Arlinda Sejda /RTK

Treqind e gjashtëdhjetë mijë euro është kostoja e investimeve për parkun rekreativ ‘Udha e Gurit’ në Komunën e Vushtrrisë, projekt që duhet të përfundojë në afatin dyvjeçar. Punimet për këtë projekt të përbashkët i përuruan zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal dhe kryetari i Vushtrrisë.

Shëtitore, hapësirë të gjelbëruar, kënd të lojërave, dy fusha tenisi dhe një fushë shumëfunksionale, është projekti i përbashkët i ndërtimit të parkut rekreativ "Udha e Gurit" që u përurua në qytetin e Vushtrrisë.

Zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Eldin Uglar, dhe kryetari i qytetit të Vushtrrisë, Ferit Idrizi, thanë se projekti do të përfundojë në afat dyvjeçar.

 “Është ky projekti i radhës i përbashkët më Ministrinë e Zhvillimit Rajonal. Projekti ndodhet në këtë pjesë të bukur të qytetit, ne mes të "Urës së Gurit" dhe palestrës sportive dhe kap vlerën e afërsisht 360 mijë euro, ku do të ndërtohen dy fusha të tenisit, një fushë për sporte multifunksionale, që është për basketboll dhe hendboll. Është shëtitorja me gjelbërim, është edhe pastrimi këtu i kanalit kullues, etj. Ky projekt do të ketë një rëndësi shumë të madhe për këtë pjesë të qytetit të Vushtrrisë. Po ashtu projekti përfshin edhe stazën për vrapim, që është më se e rëndësishme për sportistët vushtrrias”, Ferit Idrizi, kryetar i komunës së Vushtrrisë.

“Këtu jemi për përurimi e shëtitores, që është në bashkëpunim me komunën e Vushtrrisë. Ky nuk është bashkëpunimi i vetëm, kemi bashkëpunuar edhe në të kaluarën. Është një investim shumë i qëlluar dhe i nevojshëm për komunën. Ministria jonë ka ndarë, sivjet 120 mijë euro”, tha Elldin Uglari, zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal.

Vitin e ardhshëm, Ministria e Zhvillimit Rajonal do t'i ndajë edhe 80 mijë euro për mbarëvajtjen e këtyre punimeve.


MË SHUME NGA Kosovë