Objekti i shkollës së parë shqipe vazhdon të dëmtohet|Video
Edona Podvorica/RTK
(E plotësuar) Objekti i shkollës së parë shqipe që gjendet në pjesën perëndimore të qendrës historike të Prishtinës, në trekëndëshin që e formojnë rrugët “Trepça” dhe “Ilir Konushevci, po vazhdon të dëmtohet.
Ekipet e Policisë dhe Zjarrfikësve me drejtorinë e Emergjencave të Prishtinës janë lajmëruar nga qytetarët sot se fasada e këtij objekti po bie në trotuar dhe rrugë duke rrezikuar qytetarët.
Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë, Lulzim Fushtica, ka thënë se është kërkuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndërhyrje urgjente në objektet e trashëgimisë kulturore që paraqesin rrezik për sigurinë publike në kryeqytet.
“Objektet e braktisura në qytetin tonë paraqesin një rrezik serioz për sigurinë e banorëve. Mungesa e mirëmbajtjes dhe kujdesit në këto ndërtesa rrit mundësinë e aksidenteve, ndërhyrjeve të paautorizuara, dhe mund të bëhen strehë për aktivitete të paligjshme”, ka shkruar në Facebook.
Fushtica ka theksuar se ndërtesat e braktisura janë problem në rritje në Prishtinë dhe përbëjnë rrezik për sigurinë.
Ai ka paralajmëruar për problemet që mund të sjellin si, rrezik për shkaktim aksidentesh, probleme ambientale e shëndetësore dhe rrezikun se mund të përdoren për aktivitete të paligjshme.























