Komuna e Prishtinës ka nisur renovimet te Santea në lagjen Dardani|Video
Arbana Hajredinaj / RTK
Komuna e Prishtinës i ka nisur investimet te ‘Santea’, një vend i njohur për qytetarët e Prishtinës në lagjen Dardania. Sipas komunarëve, edhe hapësirat publike jashtë zonës së ‘Santesë’ do të pastrohen.
Hapësirat publike te ‘Santea’, në Prishtinë pritet të ndryshohen tërësisht. Sipas kryetarit të kryeqytetit, Përparim Rama, aty nuk është investuar me dekada.
“Një zonë e cila është ndërtuar viteve të ’80-ta, ka njëfarë ndjenje ‘retro’ të këtyre viteve, një zonë që nuk është investuar me dekada të tëra apo, të thuash, kurrë. Investimet këtu që kanë qenë, kanë qenë prej investitorëve të ndryshëm veç e veç. E kemi një gjendje të mjerueshme sot”, tha Rama.
“Janë menduar edhe hapësirat jashtë, pra urbane, duke i menduar ulëset, duke i menduar shportat e bërllogut, pjerrinat, pra është një trajtim komplet i sipërfaqes. Kujtoj që Dardania e ka merituar këtë pjesë, sepse është e patrajtuar moti”, tha Krenar Xhaferi, drejtor për investime kapitale.
Kryetari Rama tha se përfundimi i punimeve do të ndodhë në një periudhë prej 180 ditësh, ku parashihet një investim rreth gjysmë milioni euro. Brenda dy-tri javësh, në atë zonë parashihet të intervenohet edhe në tunelin te Kurrizi, në Dardani.























