Mbahet në Drenas tryeza për fuqizimin e grave në vendimmarrje
V.Thaçi / RTKlive
Instituti Kombëtar Demokratik në Kosovë (NDI) së bashku me Komunën e Drenasit, kanë mbajtur një tryezë të rrumbullakët për të diskutuar lidhur me fuqizimin e gruas në vendimmarrje, ku Komuna e Drenasit ka qenë si model i prezantimit për zbatimin e përfaqësimit gjinor në vendimmarrje më 50/50.
Komuna e Drenasit njofton se Panelistet, kanë diskutuar me gratë e vajzat pjesëmarrëse, lidhur me sfidat, të arriturat dhe përvojat personale e profesionale të secilës grua në pozita udhëheqëse ndër vite.
Sipas njoftimit në tryezë është thënë se rrugëtimi drejt barazisë gjinore nuk është vetëm një çështje për gratë, por për të gjithë shoqërinë.
“Pjesëmarrja politike e grave është e rëndësishme për të siguruar që nevojat dhe perspektivat e të gjitha grupeve të komunitetit të merren parasysh dhe që mund të rritet përfaqësimi i grave, vajzave në pozita të ndryshme. Çdo hap drejt fuqizimit të grave është një hap drejt një të ardhmeje më të drejtë dhe më të barabartë për të gjithë”, është thënë aty.
Në këtë tryezë, pjesë e panelisteve ishin: Arbana Mjekiqi, përfaqësuese e NDI, Evgjeni Thaçi ish anëtare e Kuvendit të Kosovës, Lumnije Krapi, Drejtoreshë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Laureta Thaqi, Drejtoreshë e Administratës, Kadire Tahiraj, Drejtoreshë e Qendrës për Promovimin e Drejtave të Grave, Shemsije Lladrovci, aktiviste për të Drejtat e Grave, ndërsa Diellza Berisha ishte moderatore e këtij sesioni.























