Organizatorët: Protesta e 1 tetorit ’97 në thelb kishte lirinë e Kosovës
BKT
Kosovë

Organizatorët: Protesta e 1 tetorit ’97 në thelb kishte lirinë e Kosovës

K. Kasumi / RTKlive

Në emisionin “Voyage”, që u shfaq mbrëmë në RTK me temën “Demonstrata 1 tetorit 1997: histori dhe politikë”, mysafirët Bujar Dugolli (Lëvizja Studentore ’97), Driton Lajçi (Lëvizja Studentore ’97), dhe Mentor Hasani (historian), folën për temën që lidhet me historinë e re të Kosovës, më 1 tetorin e vitit 1997 kur në Prishtinë ishte organizuar protesta studentore kundër regjimit serb.

Kosova në atë periudhë ishte e ngulfatur nga regjimi serb dhe studentët ishin ngritur për të kërkuar lirimin e objekteve shkollore, përkatësisht Universitetin e Prishtinës, por kërkesa, sipas panelistëve të këtij emisioni, në thelb ishte për lirinë e Kosovës.

Bujar Dugolli, profesor universitar, një ndër ish-organizatorët e protestës gjithëpopullore të 1 tetorit të vitit 1997, tha se Lëvizja Studentore ka pasur sukses me protestën e 1 tetorit të ’97-së.

“Ne deshëm të tregonim që në Kosovë mohohet çdo gjë, edhe liria themelore e njeriut që është e garantuar me kartën për liri dhe të drejtat të njeriut të OKB-së, edhe e drejta në arsim në gjuhën shqipe. Lëvizja pat sukses me protestën e 1 tetorit, sepse menjëherë u bë një bum madh i lëvizjes së përgjithshme për liri dhe pavarësi”, deklaroi Dugolli.

Një tjetër ish-organizator i asaj proteste, Driton Lajçi, deklaroi se protestat e  ’97 - ’98-së, që zgjaten shtatë muaj, kishin rrjedhën e vet.

 

“Në Kosovën e viteve ’97-’98 ka pasur disa protesta. Më 1 tetor 1997, më 29 tetor, më 30 dhjetor, më 2 mars, më 9 mars, më 13 mars, më 17 mars dhe më 30 prill. Janë shtatë muaj jo vetëm ndërlidhje, por edhe protagonizëm për lirinë e Kosovës”, tha ai.

“Kërkesat tona dhe organizimi ynë pasurohen dhe zgjerohen. 2 marsi vjen si rrjedhojë e masakrës së Qirezit dhe Likoshanit,  pastaj 9 marsi pas masakrës së Jasharëve. E më 30 prill për herë të parë studentët në Prishtinë brohorasin UÇK para objektit të Fakultetit Teknik”, shtoi Lajçi.

Mentor Hasani, historian, tha se protesta ka pasur ndikim të madh, sepse gjendja në Kosovë nuk është pasqyruar në mënyrën e drejtë, por Këshilli Organizativ i protestës e ka dhënë pasqyrimin real.

“Studiuesit e huaj  kryesisht flasin se protesta  e 1 tetorit ’97 ka pasur impakt të madh në zhvillimet politike dhe në pasqyrimin e gjendjes në Kosovë. Shtypi botëror e ka pasqyruar në njëfarë forme, por nuk e ka dhënë në mënyrën e drejtë. Ka qenë Këshilli Organizativ i protestës të ’97-s, i përbërë nga Dugolli, Lajçi, Mavraj, Kurti dhe rektori, tashmë i ndjerë Ejup Statovci, që ka dhënë pasqyrim real”, tha Hasani.

Për më shumë ndiqeni videon e plotë të emisionit “Voyage”:


MË SHUME NGA Kosovë