Mbeten shqetësuese rastet e nxjerrjes ilegale të zhavorrit në Prizren
BKT
Kosovë

Mbeten shqetësuese rastet e nxjerrjes ilegale të zhavorrit në Prizren

E. Hoti / RTKlive

U.D. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, priti në takim pune inspektorët nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, inspektorët komunal dhe përfaqësues nga policia për rajonin e Prizrenit. Temë kryesore e këtij takimi ishte ndotja dhe degradimi i mjedisit në regjionin e Prizrenit.

Po ashtu, në këtë takim morën pjesë edhe prokurorë nga Departamenti i Përgjithshëm i kësaj prokurorie, duke përfshirë koordinatorin për trajtimin e veprave penale kundër mjedisit.

Sipas njoftimit,  U.D. Kryeprokurori Petrit Kryeziu, theksoi se shqetësuese janë rastet e shumta të nxjerrjes ilegale të zhavorrit dhe rërës përgjatë shtratit të lumit Drini i Bardhë, si dhe operimi ilegal i separacioneve.

“Nga të pranishmit, u kërkua bashkëpunim dhe koordinim sa i përket trajtimit të këtyre rasteve, për të ndërmarrë veprime aktive në drejtim të zbulimit dhe kapjes së kryesve të veprave penale që lidhen me degradim të mjedisit, po ashtu u kërkua ndërmarrja e veprimeve aktive në drejtim të sekuestrimit të mjeteve të kryerjes së veprave penale dhe dobisë pasurore”, thuhet në njoftim . 

Të gjithë të pranishmit, u pajtuan që në të ardhmen të kenë takime të ngjashme, me qëllim ngritjen e bashkëpunimit ndër institucional dhe luftimin e kësaj dukurie.

Prokuroria Themelore në Prizren thotë se mbetet e përkushtuar maksimalisht në luftimin e dukurive të kundërligjshme që degradojnë ambientin dhe u bënë thirrje qytetarëve për bashkëpunim në luftimin e kësaj dukurie degraduese


MË SHUME NGA Kosovë