Berisha:37 % e të rinjve shfaqin çrregullime mendore, shkak rrjetet sociale
K. Kasumi / RTKlive
Një problematikë që të gjithëve na preokupon, por nuk po mund të shkëputemi prej saj, janë rrjetet dhe sociale, përdorimi i shumtë i teknologjisë. E sa i përket kësaj teme, Bujar Berisha, psikiatër, theksoi se mbi 37 % e të rinjve në shkolla të mesme shfaqin çrregullime mendore në raport me përdorimin e rrjeteve sociale. Sipas tij, kjo është shifër shumë shqetësuese.
Ai në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK tha se bashkëjetesa me rrjetet sociale është bërë e domosdoshme për shkak se edhe nxënësit, edhe të rinjtë, por edhe të rriturit, sadokudo kanë lidhje me rrjete sociale, qoftë nëpërmjet kontakteve, qoftë gjërave të tjera.
“E problematika vjen në momentin kur individi kalon një kohë më të gjatë në rrjete sociale dhe krijon një formë të varësisë. Kjo formë e varshmërisë, që quhet edhe përdorim problematik i rrjeteve sociale, shkakton shumë gjëra negative tek individi, duke i shkaktuar ankth, depresion, sjellje të çrregulluara dhe agresivitet si pasojë e rrjeteve sociale”, shtoi ai.
Sipas tij, një zgjidhje e mirë është mësimi tërëditor, një zgjidhje e mirë është që pasditet të mos kalohen në telefon, por të kenë aktivitete shkollore dhe aktivitete sportive.























