IPK përfaqësohet në Forumin Rajonal të Agjencive Mbikëqyrëse Policore
M.P. / RTKlive
Inspektorati Policor i Kosovës është duke u përfaqësuar në takimin e Forumit Rajonal të Agjencive Mbikëqyrëse Policore të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Në këtë takim pjesëmarrës është edhe kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj me bashkëpunëtorë të tjerë.
“Takimi shërbeu si një platformë e rëndësishme për të ndarë përvojat, për të diskutuar sfidat dhe për të forcuar bashkëpunimin rajonal mes agjencive të mbikëqyrjes policore në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit. Përfaqësuesit e lartë nga katër shtetet diskutuan edhe për mekanizmat për rritjen e transparencës, përgjegjësisë dhe profesionalizmit në forcat policore”, thuhet në komunikatën e IPK-së.
Në përfundim të takimit, palët ranë dakord për intensifikimin e bashkëpunimit të ndërsjellë për të siguruar dhe rritur efikasitetin gjatë realizimit të misioneve të tyre
Deklarata për themelimin e Forumit Rajonal të Agjencive mbikëqyrëse policore u nënshkrua vitin e kaluar në Prishtinë më 3 korrik 2023 në mes përfaqësuesve të agjencive të katër shteteve: Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.
























