IKD, neglizhohet harmonizimi i pensioneve me koston e jetesës
BKT
Kosovë

IKD, neglizhohet harmonizimi i pensioneve me koston e jetesës

Donika Sherifi /RTK

Një raport i Institutit të Kosovës për Drejtësi thotë se Shteti neglizhon harmonizimin e pensioneve me koston e jetesës. Pensionistët që morën pjesë në diskutimet me IKD-në, thanë se shteti nuk i ka konsultuar asnjëherë për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Skemat Sociale.

Ndjenja e mospërkrahjes nga shteti, e izolimit dhe dëshpërimit ka efekte të mëdha në shëndetin mendor të pensionistëve, andaj duhet intervenim sa më i shpejtë.

Kështu u tha gjatë prezantimit të raportit “Shteti neglizhon harmonizimin e pensioneve me koston e jetesës” nga Instituti i Kosovës për Drejtësi me shoqatën e pensionistëve.

 “Në plan-programin e partisë në pushtet kemi parë që ka pasur shumë premtime elektorale në të cilat është përmendur se do të jepet një rëndësi e veçantë grupeve të ndjeshme, ku hyjnë edhe pensionistët. fatkeqësisht në 4 vitet e tanimë kur është fut në vitin e fundit të mandatit të qeverisë nuk e kemi parë që i është kushtuar rëndësi pensionistëve”, tha Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në IKD.

“Për neve nuk ka qenë shumë lehtë këto tri vitet e fundit meqenëse jemi përballë me mungesë të komunikimit të bashkëpunimit me Qeverinë për shumë arsye, e këto shumë vështirësi ne po i rregullojmë duke na ndihmuar organet e drejtësisë përmes nxjerrjes së vendimeve të cilat po e detyrojnë ekzekutivin e legjislativin të propozojnë ligje në përputhje me ato aktgjykime”, tha Naim Jakaj, hulumtues në IKD.

“Në kontinuitet kemi bo kërkesa që të përfshihemi në grupet plotësuese për plotësim-ndryshimin e Ligjit mbi skemat pensionale dhe nuk na kanë përfshi kurrë as nuk na kanë thirr kurrë, as nuk na kanë konsultuar kurrë. shkresat për fat të mirë i kam të gjitha, të gjitha të adresuara me emër me kryeministër me presidente me ministër me të gjitha”, tha Nijazi Gashi, kryetar i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës.

Sipas raportit, duke mos bërë rritje reale të pensioneve, të moshuarit do të izolohen, do të jetojnë në kushte të mjerueshme, dhe kjo jetesë do të ketë ndikim negativ në aspektet sociale e psikologjike të tyre.


MË SHUME NGA Kosovë