Drenoci i Deçanit dhe Orllani i Podujevës, jo vetëm fshatra
BKT
Kosovë

Drenoci i Deçanit dhe Orllani i Podujevës, jo vetëm fshatra

K. K. / RTKlive

Brenda mureve të gurit dhe pas portave të drurit ruhen kultura dhe tradita jonë. Është lagjja Mazrekaj në Drenoc të Deçanit që ende i mban në jetë kullat shqiptare. Aty frymon fuqishëm jeta e çiltër e fshatit. Mazrekajt nuk kanë lejuar asnjë ndërhyrje moderne. Falë kësaj dashurie ndaj traditës, sot ky fshat e gëzon epitetin e fshatit turistik për trashëgimi kulturore.

Njëzet kullat e Drenocit ishin dëmtuar nga lufta e fundit, por kujt i ra ndër mend se një ditë shtëpitë e gurit do ta shtonin namin e fshatit. Ishte Safete Gacaferri, e cila, gjatë një dite të zakonshme të 2004-s, u takua rastësisht me zyrtarët e zyrës suedeze të cilët kërkonin bashkëpunim për ringjalljen e kullave.

Por ky bashkëpunim nuk ishte i lehtë. Dy dekada më parë për banorët e Drenocit ishte e papranueshme që në odën e kullës të ulej një femër e cila kërkonte negociata.

“Si sot më kujtohen. Janë ditë që nuk i harroj asnjëherë, sepse e kam filluar një punë që nuk ka qenë e lehtë aspak. Ka qenë e vështirë, në një vend ku ruhen kultura dhe tradita, të vijë një femër, të hyj në sobë të burrave”, tha ajo.

“Përpara nuk ka qenë traditë që femrat në sobë të burrave të kenë aktivitete. E kanë pritur bukur vështirë, por me kalimin e kohës u bindën”, shtoi Gacaferri.

Pas renovimit, kullat e Drenocit u hapën për vizita. Vizitorët e parë ishin të huajt.

Në kohën kur Safetja u përkushtua për promovimin e turizmit të fshatit, as institucionet nuk e kishin në planprogram këtë fushë. Drenocit ajo ia dha emrin e fshatit turistik me njohuritë e saj për jetën e fshatit, por rendin e kullës dhe të odës e përvetësoi nga të vjetrit e Mazrekajve.

“Kam ditur pak, po jo krejt. Më është  dashur me ndenjtë me pleq të fshatit, se turistët pyetnin shumë. I kam marrë krejt informatat prej pleqve. Kulturën e kullës e mësova prej tyre. Edhe rregullin e kullës”, tregon ajo.

“Kemi punuar 15 vjet pa ndërprerë. Kanë ardhur turistë nga shumë vende ndërkombëtare. Kishin interes të vinin e të bënin një natë këtu, ta provonin ushqimin tradicional”, tha Gacaferri.

Drenoci i Deçanit është shembulli më i mirë i ruajtjes së jetës së dy shekujve më parë vetëm me përkujdesje nga banorët dhe organizatat e huaja.

Ashtu si Drenoci, epitetin e një fshati të zakonshëm e ka tejkaluar edhe Orllani i Podujevës. Turizmi ka marrë hov falë liqenit dhe natyrës përreth tij. Të mirat e këtij vendi më së miri i rrëfejnë ata që jetojnë brenda kësaj bukurie të natyrës.

Avdullah Shabani, banor i fshatit Orllan, tha “ku ka këso kodra, këso male, kësi ujë?  Gjema ti mua në regjion se ku është? Është Gazi Voda atje dhe ky këtu”, e që, sipas tij, sikur të kishin punuar, vendi do të lulëzonte.

Kurse Rexhep Zeka, banor i fshatit Orllan, tha se nuk mund të them se ky ose ai vend është më i mirë se tjetri, sepse cilëndo pjesë që ta shikosh, i ka veçoritë e veta dhe për këtë arsye e bën vendin kaq të veçantë.

Në orientimet e turistëve ky vend mban emrin liqeni i Batllavës por, në fakt, i takon Orllanit.

“Në vitin 1968 është zënë liqeni dhe prej asaj kohe uji ekziston në pendë e përpjetë është me regjion të Orllanit. Ia kanë lënë emrin liqeni i Batllavës, por nuk është i Batllavës. Ia kanë lënë emrin për gjëra të tjera, për ndonjë interes të dikujt, se ky është me territor të Orllanit, tokat janë të Orllanit, varrezat e fshatarëve janë nën ujë, është xhamia e vjetër, e ka marrë uji, shtëpitë, urat, udhët, varret e krushqve dmth. liqeni është i Orllanit”, tha Shabani.

Zeka shtoi se Orllani është një nga vendet më të vizituara duke pasur parasysh edhe peizazhin e bukur që e ka. Vendi është kodrinor malor, me disa kodra të bukura dhe të ulëta, shumë atraktiv e të përshtatshëm për ecje.

“Peizazhin e bukur ia ka dhënë edhe liqeni që është pranë Orllanit. Këtë vit janë mbajtur edhe shumë aktivitete në këtë vend. Ka pasur vizitorë edhe nga jashtë vendit. Vijnë deri në 200 mijë vizitorë në vit”, shtoi Zeka.

Turizmi mbahet nga vetë banorët. Disa prej tyre në prona private kanë ndërtuar bujtina që ofrojnë rehati për secilin vizitor.

Rexhep Zeka pohoi se është zhvilluar vetëm nga banorët që aty-këtu kanë mundur të ndërtojnë restorantet e tyre dhe të kenë mundësinë t’i presin vizitorët. Sipas tij, është krijuar një urë lidhëse me banorët që jetojnë në fshatrat përreth duke i përdorur produktet e tyre, por thotë se mungon dora institucionale në këtë pjesë.

“Vizitorët kanë filluar gradualisht të shtohen duke parë Orllani ka edhe kapacitete të tjera. Ka edhe shumë monumente kulturore dhe historike. Një familje mund të vijë ta kalojë një ditë të mirë këtu”, tha ai.

Por ky potencial natyror dhe vullneti i banorëve për zhvillim të turizmit kërkon edhe një promovim të denjë.

“Fatkeqësisht nuk ka promovim të merituar Orllani. Mungon dora institucionale. Mungon një plan zhvillimor për këtë pjesë. Po të kishim një projekt zhvillimor, i kishte ndal banorët dhe ishin zhvilluar ekonomitë familjare”, tha Zeka.

Rexhep Zeka është një nga banorët më të zëshëm të Orllanit. Ai kërkon të bëhet një zgjidhje për mbrojtjen e natyrës dhe për mundësinë e investimeve.

 “Orllanin është duke e mbajtur peng një udhëzim administrativ. Kjo pjesë është zonë e mbrojtur dhe natyrisht që nuk lejohet të investohet. Ne si banorë disa herë kemi bërë kërkesa që të gjendet një rrugë e mesme, duke e ruajtur këtë dukuri që e ka Orllani, mirëpo të gjejmë forma të lejimit të ndërtimit, qoftë edhe për staza për ecje, sepse ka shumë mungesë edhe të bujtinave në këtë kohë që numri i vizitorëve po rritet”, tha ai.

Turizmin në Drenoc të Deçanit dhe në Orllan të Podujevës e filluan vetë banorët dhe po vazhdojnë t’i mbajnë dyert e hapura për vizitorët.


MË SHUME NGA Kosovë