Deda: Rreth 85 %, faktori njeri përgjegjës për aksidentet në komunikacion
K. K. / RTKlive
Siguria në rrugët e Kosovës është plot sfida. Vazhdimisht ka aksidente nëpër rrugët e saj. Për siguri më të madhe në komunikacion duhet ndërgjegjësim nga këmbësorët, ngasësit e automjeteve, por duhet që edhe institucionet të bëjnë punën më të mirë.
Nol Deda, ekspert i komunikacionit, tha se faktori njeri është ai i cili në rreth 85 % të rasteve, e ka përgjegjësinë sa iu përket aksidenteve në komunikacion.
Ai në “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK tha se “te faktori njeri ndikojnë lodhja, alkooli, pagjumësia, shpejtësia”.
Deda shtoi se, duke u bazuar në të dhënat e Bashkësisë Evropiane, faktori kryesor që vjen deri tek aksidenti është njeriu, në rreth 85 % të rasteve, pastaj faktori rrugë nga 8 deri në 10 % të rasteve, kurse faktori automjet nga 3 deri në 5 % të rasteve, faktori komunikacion rrugor dhe incident 1 %.
I pyetur për cilësinë e rrugëve në Kosovë, ai njoftoi se e bëjnë matjen e vrazhdësisë së rrugës për ta kuptuar kualitetin. "Sa kam qenë në ministri e patëm bërë matjen e vrazhdësisë. Na pati dal e nivelit shumë të ulët, një rrezikshmëri shumë e madhe. Asfalti i cili është konsumuar tepër më nuk e ka koeficientin e vrazhdësie p.sh 9, por e ka 3”, tregoi Deda.
Ndër të tjera, ai bëri me dije se çdo tri-katër vjet matet koeficienti vrazhdësisë e që, për fat të keq, sipas tij, në Kosovë nuk e ka matur kush që prej viteve 2003-2004. Në bazë të atyre matjeve bërë atëherë, ka dal niveli i ulët ose ai i rrezikshmërisë ka dalë i lartë.
Ai, po ashtu, tha se autostrada “Ibrahim Rugova” dhe ajo “Arbër Xhaferi” janë të mira, por nuk është koeficienti i rrugës i njëjtë me ato në rrugët lokale.























