‘Stefora’ synon shtrirjen e edukimit në shkencë
K. K. / RTKlive
Sot ka nisur konferenca “Stefora”, projekt që synon shtrirjen e edukimit në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë. Venera Demukaj organizatore e kësaj konference tha se projekti “Stefora” po realizohet në bashkëpunim me gjashtë universitete dhe se qëllimi i projektit është të kenë sa më shumë vajza dhe grupe të tjera të nënpërfaqësuara në programet STEAM.
Ajo në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin e “Mirëmëngjesi Kosovë” pohoi se fokusi i projektit është në fushat STEAM, specifikisht në ndërtimin e kapaciteteve në universitete dhe se kanë bërë një sërë aktivitetesh me qëllim që të ndërtohen kapacitete në institucionet e arsimit të lartë.
“Ky grup ka për qëllim me qenë sa më gjithëpërfshirës për të gjithë studentët që dëshirojnë t’i vazhdojnë studimet në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë”, tha Demukaj.
Violë Maksuti, studente, pjesë e “Steforës”, tha se një prej rezultateve është grupi STEAM, i cili ka për qëllim të jetë sa më gjithëpërfshirës për të gjithë studentët.
Momentalisht STEAM funksionon në IRT Kosova dhe është një ndër partnerët e programit “Stefora” nëpërmjet STEAM.
“Kemi bërë tashmë disa aktivitete të cilat veçse realizojnë misionin dhe vizionin e STEAM, i cili është gjithëpërfshirja ose përfaqësimi i femrave në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë”, tha Maksuti. Kurse Demukaj shtoi se në kuadër të projektit janë zhvilluar module trajnuese të cilat tashmë janë në dispozicion për të gjithë ata që duan t’i shfrytëzojnë, por në të njëjtën kohë janë mbajtur dhe janë organizuar trajnime të avancuara “nga partnerët tanë në Bashkimin Evropian për të marrë njohuritë e tyre dhe për t’i implementuar në institucionet tona”.
“Projekti ka filluar në janar të vitit 2023. Tashmë jemi në fazën e fundit të projektit. Edhe konferenca po shërben për ndarjen e rezultateve në fushat STEAM”, tha ajo.
“Rëndësi shumë të madhe kanë normat kulturore dhe shoqërore. Ekziston ajo ndarja midis profesioneve që janë tradicionalisht për burra dhe tradicionalisht për gra. Kjo ka qenë një gjetje që na ka dalë në diskutime me aktorët. Janë trajnuar profesorët që t’i shikojnë syllabuset, që të ketë barazi gjinore dhe t’i përfshijë të gjithë studentët”, shtoi Demukaj.























