KPM për rastin e ‘Big Brother’: Është herët të flasim për shkelje
BKT
Foto: Edona Podvorica
Kosovë

KPM për rastin e ‘Big Brother’: Është herët të flasim për shkelje

M.Pasoma dhe E.Podvorica / RTKlive

Futja e Atilla Kardesh, i denoncuar si i dyshuar për dhunë në familje, në spektaklin televiziv “Big Brother Vip Kosova” në Klan Kosova ka nxitur reagimin e shumë organizatave për mbrojtjen e të drejtave të grave. Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore zhvilloi takim me Komisionin e Pavarur tё Mediave për rastin në fjalë.

Niman Rracaj, kryeshef ekzekutiv i KPM-së sqaroj se është herët të flasim për shkelje ose jo. Ai ka thënë se nuk është përfunduar procesi i trajtimit të ankesave, teksa ka thënë se do ta mbikëqyrin përmbajtjen programore.

Ka thënë se KPM nuk mund të përcaktojë nëse një person që ka të ngritura vepra penale, mund ose nuk mund të jetë pjesë e programeve televizive.

“Në fakt KPM nuk ka mandat që të shoh zbatimin ose jo të masave penale, atëherë është dashur të reagojnë institucionet përkatëse që ai person të mos ketë mundësi të jetë pjesë e ‘Big Brother’. Është praktikë e shteteve demokratike që i kanë të zhvilluara standardet e transmetimit, që televizionet mbahen përgjegjës vetëm për përmbajtjen që transmetojnë”, ka thënë ai.

“Mua më intereson që dhuna mos me u promovua dhe njëkohësisht më intereson me qenë të sinqertë, që aty ku ju keni mandat, nëse u shkel ligji dhe etika e medias, me e dërguar aspektin dhe me e shoshit çështjen deri në fund”, ka thënë në anën tjetër anëtarja e komisionit, Eliza Hoxha.

Balje kërkon reagim nga KPM për rastin në ‘Big Brother’

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje, ka kërkuar arsye për mos reagimin e deritanishëm të KPM-së rreth rastit. Ka shtruar pyetje nëse ka bazë ligjore çështja.

“A keni pasur ndonjë bazë ligjore për të reaguar? Kjo është pyetja kryesore sepse ju jeni përgjegjës një herë, pastaj ne. Ju s’keni reaguar se unë kam pyetje se a keni pasur bazë ligjore për reagim. Ne duam të dimë a e ka shkelur Klan Kosova ligjin”, ka thënë Balje.

Balje ka thënë se e gjithë Kosova po flet për një dhunues që ka hyrë në shtëpi ku gjendet viktima.

Jeton Mehmeti, kreu i KPM-së iu është kundërpërgjigjur duke thënë se nuk kanë pasur mbledhje deri më tani për të trajtuar çështjen.

“E kemi caktuar datën e mbledhjes para disa ditëve, me datën 26 do ta kemi mbledhjen e radhës dhe do t’i trajtojmë të gjitha ankesat që na kanë ardhur për këtë shfaqje televizive”, ka thënë ai.

Luljeta Aliu, anëtare e KPM-së, tha se duhet kohë që të analizohet rasti.

“Nuk është se ne kemi të drejtë t’ia diktojmë një televizioni se kë ta thërret në spektakël e kënd jo, por jemi të vetëdijshëm që ky rast ka shqetësuar qytetarët, por edhe anëtarët e KPM-së. Është në pyetje, koha e shkurtër e trajtimit por besojmë se kjo do të trajtohet”, tha Aliu.

KPM për ‘Big Brother’: Kemi pranuar 7 ankesa, 4 për rastin e dhunës

Arjeta Fejza, zëvendës kryesuesja e komisionit për të Drejtat e Njeriut tha se ky rast meriton vëmendje për trajtim. Ajo ka thënë se si komision kanë përcjellë me shqetësim, tendencën që dhuna të shndërrohet në spektakël dhe si një normalizim i bashkëjetesës me dhunën.

“Ka bazë ligjore për një qëndrim nga KPM dhe ne nuk kërkojmë vetëm masa ndaj produksionit, por nga televizioni sepse nuk duhet të lejohet e të relativizohet dhuna”, ka thënë ajo, teksa ka thënë se KPM-në e thërret në përgjegjësi edhe koordinatorja nacionale kundër dhunës.

Jeton Mehmeti, kryetar i KPM-së, ka thënë se kanë pranuar 7 ankesa nga qytetarët dhe institucione të ndryshme, ku disa nga to kanë dënuar veprimin e fundit të televizionit.

“4 ankesa kanë qenë për detyrimin e viktimës për të ndarë të njëjtin hapësirë me dhunuesin. Një ankesë tjetër kemi nga një qytetar që ky show televiziv është jo edukativ, andaj si KPM duhet ta ndaloni. Kemi një ankesë nga një person tjetër që thotë se ndihet i fyer për komentimet e analistëve të reality show”, ka thënë Mehmeti.

Ai ka treguar se ankesa tjetër ka të bëjë me keqpërdorimin e inteligjencës artificiale nga ky show televiziv, “në kuptimin që një nga banorëve iu është bërë video përmes inteligjencës artificiale, gjoja se është babai i tij i ndjerë”.

“Nuk kemi arritur t’i trajtojmë asnjërën nga këto ankesa sepse kanë ardhur dje. Siç kemi pasur rastin me edicionet e kaluara të kësaj shfaqje televizive, i kemi trajtuar secilën ankesë dhe aty ku kemi gjetur se ka shkelje të Kodit të Etikës dhe rregulloreve tona, atëherë kemi marrë masa”, ka thënë ai.


MË SHUME NGA Kosovë