Kuzhinieri i famshëm grek tregon përshtypjet e tij nga vizita në Kosovë
E. Hoti / RTKlive
Vasillis Kallidis një nga kuzhinierët më të mirë në Greqi ka vizituar Kosovën, teksa për aventurën e tij në vendin tonë ai ka dhënë detaje në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK.
Kallidis ka një magazinë në Athinë, që merret me prodhimin e ushqimeve japoneze si dhe ka bërë emisione televizive për të prezantuar gastronominë e botës.
Ndërsa tani do të bëjë një dokumentar se si kuzhinierët me famë botërore po i kthehen kuzhinës tradicionale.
“Nga shokët e mi që ndodhen në Athinë dhe Greqi kam mësuar që ushqimet janë goxha të përbashkëta ndërmjet dy popujve tonë. Kuzhina e Kosovës të cilën e kam përjetuar është shumë e përbashkët me atë greke, si specat, pitet, byreku etj”, tha ai.
Kallidis gjatë vizitës dyditore në Kosovë pos Prishtinës ka vizituar edhe Rahovecin dhe Dragashin.
”Më bëri përshtypje familja gorane kur shkuam dhe pamë se si përpunohet djathi. Diçka shumë e veçantë dhe tradicionale. Pamë që aty është një qendër skijimi, që ishte shumë e bukur për ta vizituar prapë”, shtoi ai.
Sipas Kallidis të gjithë popujt e Ballkanit kanë një kuzhinë të ngjashme, me pak diferencë me njëra – tjetrën dhe me njerëz shumë pozitiv.
Ai ka bërë të ditur se ka vizituar edhe fabrikën e verës në Rahovec, për të cilën tha se ishte diçka e veçantë dhe shumë madhështore.
Kallidis ka vizituar edhe fabrikën e Fahrije Hotit në Krushë të Madhe dhe që i bëri shumë përshtypje dashuria dhe dinamika që ka ajo zonjë.
“Kur dëgjon histori si të zonjës Fahrie e sheh se sa e rëndësishme është jeta”, tha ai.
Ai tha se gjatë vizitës në Kosovë ka parë shumë vende që ngjasojnë më Selanikun, teksa tha se i gatuan më së miri ushqimet e detit.























