Vendet më të vizituar nga kosovarët
Sh.G / RTKlive
Pas liberalizimit të vizave, kosovarët po shfrytëzojnë mundësitë për të udhëtuar në destinacione që më parë ishin më pak të arritshme.
Në programin e mëngjesit në RTK, Lindita Halimi, njohëse e turizmit dhe udhëtimeve, ndau informacione mbi vendet më të vizituara nga kosovarët.
“Dubai është bërë një nga destinacionet më të preferuara për shkak të paketave të organizuara, sidomos për pushime të shkurtra prej 3-4 ditësh. Liberalizimi i vizave me Dubain ka ndihmuar në rritjen e interesit të qytetarëve tonë që ta vizitojnë atë vend. Gjithashtu, qytetarët po shfrytëzojnë edhe linjat direkt nga Tirana dhe Shkupi për të vizituar vende evropiane për fundjava të shkurtra”, tha Halimi.
Halimi vuri në dukje që, pavarësisht rritjes së çmimeve gjatë verës, fluksi i udhëtimeve ka qenë i madh. Ofertat e agjencive të udhëtimit dhe mundësitë për pagesa të lehtësuara kanë kontribuar në këtë trend. Shumë kosovarë kërkojnë rekomandime nga agjencitë për destinacione të reja, dhe Halimi theksoi se këto agjenci janë gjithmonë të hapura për të ofruar propozime kreative.
Përveç Dubait, shumë kosovarë kanë vizituar destinacione brenda Evropës si Itali, Gjermani dhe vende të tjera, duke shfrytëzuar mundësitë që ofron tani udhëtimi pa viza.























