Punëtorët e “Pastrimit” kërkojnë të hiqet tenderi për mbeturinat
BKT
Kosovë

Punëtorët e “Pastrimit” kërkojnë të hiqet tenderi për mbeturinat

M.M. /RTKlive

Punëtorët e kompanisë “Pastrimi” kanë protestuar sot para Komunës së Prishtinës, për shkak të vendimit për shpalljen e tenderit në vlerë prej 16,4 milionë euro për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet, që e çon këtë ndërmarrje drejt falimentimit.

Njëra ndër kërkesat e protestuesve është që të hiqet tenderi i shpallur për ndarjen në 6 llote të pastrimit në Prishtinë.

Ardian Krasniqi, kryetar i Shoqatës Sindikale thotë se me këtë tender rrezikohet falimentimi i kompanisë “Pastrimi”.

“Përmes këtij tenderi synohet të futen edhe operatorë të tjerë privatë për grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë, e kësisoj ne rrezikojmë të falimentojmë dhe 900 punëtorë do të mbesim pa punë”, tha ai.

Bëhet e ditur se punëtorët e kompanisë i kanë kërkuar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe drejtorit të Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, që operator i vetëm për grumbullimin dhe faturimin e mbeturinave të jetë “KRM Pastrimi”.

Ndryshe njoftohet se dy përfaqësues të kompanisë “Pastrimi” kanë hyrë në sallë për t’i kërkuar kryesuesit të seancës që të marrin pjesë në mbledhjen ku po diskutohet për situatën e krijuar në NP “Pastrimi”.


MË SHUME NGA Kosovë