Java e të Drejtave të Njeriut fillon më 10 dhjetor
Sh.G / RTKlive
Edicioni i 11-të i Javës së të Drejtave të Njeriut, organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), do të mbahet nga data 10 deri më 14 dhjetor. Në një lidhje të drejtpërdrejtë në RTK, Blenda Pira, hulumtuese ligjore në YIHR, dha detaje mbi përgatitjet për këtë edicion.
“Java e të drejtave të njeriut që shënohet që e 11 vite nga organizata YIHR, fillon më 10 dhjetor dhe përfundon më 14 dhjetor. Këto ditë ne po i bëjmë përgatitjet e fundit për të filluar këtë edicion të 11-të me rradhë. Ne kështu tradicionalisht e festojmë punën e aktivistëve dhe aktivisteve, edhe pse ne i njohim të gjitha sakrificat dhe sfidat që ata i kanë kaluar gjatë viteve në fushën e të drejtave të njeriut në Kosovë”, tha Pira.
Pjesë e aktiviteteve të javës është edhe ndarja e Çmimit për Aktivistin ose Aktivisten e Vitit për të Drejtat e Njeriut.
“Ky çmim jepet që tri vite me radhë. Nominimet janë të hapura edhe sot deri në ora 12:00 dhe secili person apo organizatë, apo kushdo tjetër, mund të nominojë dikë për këtë çmim. Nominimet mund t’i bëjë një person për një tjetër person, mundet një grup personash ose për një organizatë të shoqërisë civile, apo një nismë joformale që në vitin 2024 ka kontribuar në fushën e të drejtave të njeriut, qoftë me ndonjë iniciativë apo çkado që ka të bëjë me fushën dhe të ketë qenë kontribut i vitit 2024”, shtoi Pira.
Java e të Drejtave të Njeriut është një mundësi për të promovuar të drejtat universale dhe për të vlerësuar angazhimin e qytetarëve dhe organizatave në Kosovë në mbrojtjen dhe avancimin e tyre.























