Kosumi: Personat me aftësi të kufizuara, në situatë jo të mirë
BKT
Kosovë

Kosumi: Personat me aftësi të kufizuara, në situatë jo të mirë

K. K. / RTKlive

Sot është Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara. Enver Kosumi, drejtor i HANDIKOS-it, theksoi se këta persona gjenden në një situatë jo të mirë të gjithëpërfshirjes së tyre pasi që, sipas tij, mungon përfshirja e tyre në edukim, ka infrastrukturë jo të mirë sa i përket lëvizjes së lirë të tyre, punësim i mangët.

Ai në “Mirëmëngjesi Kosovë”, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Ferizaj, tha se 3 dhjetori është dita që duhet të reflektojmë për përmirësimin e mundësive të personave me aftësi të kufizuara.

“Vendi ynë ka një legjislacion jashtëzakonisht në favor të personave me aftësi të kufizuara, mirëpo mungon implementimi i ligjeve në përgjithësi”, tha Kosumi.

Ai shtoi se institucionet lokale vazhdimisht kanë bërë përpjekje për lehtësimin e kushteve të lëvizjes së lirë personave me aftësi të kufizuara, por mbetet ende shumë për të bërë për arsye se mungon përfshirja e fëmijëve në edukim, që është në nivel jashtëzakonisht të ulët, ka numër të vogël të asistentëve të fëmijëve, mungon qasja e drejtë për pranimin e fëmijëve në shkolla, mirëpo ka një lëvizje në krahasim me vitet e kaluara, një trend më i ngadalshëm, që po lëviz në mënyrë të duhur sa i përket avancimit të të drejtave të tyre.

“HANDIKOS-i si organizatë joqeveritare ka një bagazh 40-vjeçar të funksionimit. Që prej pasluftës ka qenë e vetmja hyrje ku ata kanë trokitur për të bërë zgjidhje”, shtoi ai.

Ndërkaq sa i përket objektit, ai tha se nuk i plotëson kushtet as minimale. “Kemi evidentuar 170 fëmijë, por vetëm 41 fëmijë marrin shërbime të rregullta ditore, për arsye se kemi mungesë të hapësirave, të stafit për të ofruar shërbime për të gjithë ata. Në listën e pritjes janë rreth rreth 20 fëmijë”, tregoi ai.

Kosumi bëri me dije se falë angazhimit të tyre dhe një grupi të mërgatës, objekti i ri është në fazën e fundit të ndërtimit të vrazhdë dhe, sipas tij, më së largu deri në prill do ta fillojnë punën në objektin e ri.


MË SHUME NGA Kosovë