Mbahen ligjërata në shkolla kundër dhunës në familje dhunës në baza gjinore
BKT
Foto: Prokuroria e Prizrenit
Kosovë

Mbahen ligjërata në shkolla kundër dhunës në familje dhunës në baza gjinore

G.K/RTKlive

Në kuadër të fushatës vetëdijësuese “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”, Prokuroria Themelore në Prizren, përkatësisht prokuroret/koordinatore për rastet e dhunës në familje, Mehreme Hoxha dhe Elfete Purova, kanë realizuar ligjërata vetëdijësuese në shkollën e mesme Sh.M.L.M “Luciano Motroni” dhe në shkollën Sh.M.U. “Hysen Rexhepi” për klasat e nënta, në Prizren.

Sipas njoftimit, nxënësve iu ligjërua rreth konceptit të marrëdhënieve familjare, formave të dhunës në familje, aspektet penale të dhunës në familje, viktimat e ndjeshme, si dhe rolin e institucioneve shtetërore në luftimin e këtyre veprave penale.

Ata u informuan gjithashtu, për ndihmën juridike që mund t’u ofrohet nga Qendra për Ndihmë Juridike, për rolin e mbrojtësve të viktimave etj.

“Këto ligjërata kishin për qëllim forcimin e kapaciteteve të nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme për të identifikuar dhe raportuar dhunën në familje si dhe dhunën në baza gjinore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Prizrenit.

Më tutje, nxënësit u njoftuan edhe për sanksionet ligjore që parashihen sipas ligjit për personat që kryejnë vepra penale të dhunës në familje, si dhe veprave tjera penale në kuadër të dhunës në familje.

“Prokuroria Themelore në Prizren, do të vazhdoj edhe më tej t’i trajtoj me prioritet rastet e dhunës në familje, dhe do të vazhdoj të mbajë ligjërata të tilla, me qëllim të vetëdijësimit dhe të parandalimit të veprave penale të dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore”, përfundon njoftimi.


MË SHUME NGA Kosovë