Dhuna në familje, Bala: Në Kosovë 73% të rasteve viktima janë gratë
BKT
Kosovë

Dhuna në familje, Bala: Në Kosovë 73% të rasteve viktima janë gratë

K. K. /RTKlive

Po vazhdon fushata “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore” e cila do të përmbyllet më 10 dhjetor në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Vesa Bala, zyrtare për komunikim nga zyra e UN Women, theksoi se fushata vjen si pasojë e shifrave alarmante që na shfaqen jo vetëm në Kosovë, por edhe nëpër botë.

“Një në çdo tri gra përjeton në jetën e tyre një lloj të dhunës në nivel global”, tha ajo.

Në “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK ajo tha se të gjeturat e një raporti tjetër global, i cili është hartuar nga UN Women dhe UN DC, tregon që çdo dhjetë minuta kemi vrasje të një gruaje e vrasja ndodh pikërisht nga partneri i saj apo nga ndonjë i afërm në rrethin e tyre qoftë familjar apo shoqëror.

Tutje, ajo theksoi se dhuna në baza gjinore gjithandej është e njëjtë.

“Ka disa vende që janë në tranzicion e sipër, që kemi nivel më të lartë të dhunës në nivel të pabarazisë dhe dhunës në baza gjinore, por statistikat tregojnë që të gjitha përballen me sfidën e njëjtë ashtu si ne në Kosovë.

Në vitin 2023 Policia e Kosovës ka pranuar 2895 raste të dhunës në familje e për fat të keq rreth 73% të rasteve viktima kanë qenë gratë. Besohet se ka më shumë se kaq”, shtoi ajo.

Ajo pohoi se disa prej faktorëve janë paragjykimet shoqërore, normat kulturore që janë të rrënjosura thellë në patriarkat e që kontribuojnë në një mjedis ku edhe gratë ndihen pastaj të pasigurta t’i raportojnë qoftë te rrethi i tyre, qoftë tek institucionet e drejtësisë, pastaj ka prej tyre që e kanë humbur besimin.

Ndërkaq për ngjyrën e portokalltë tha se është zgjedhur qysh nga fillimi sepse asosicon me një ngjyrë të ndritur dhe ndoshta optimiste që lufta jonë është për të arritur një të ardhme të tillë ku kemi eliminim të pabarazive gjinore.


MË SHUME NGA Kosovë