IKSHPK: Uji nga KRU ‘Mitrovica’ dhe KRU ‘Prishtina” nga sot është i pijshëm
BKT
Kosovë

IKSHPK: Uji nga KRU ‘Mitrovica’ dhe KRU ‘Prishtina” nga sot është i pijshëm

V.S|RTKlive

Instituti i Kombëtar i Shëndetësisë Publike në bazë të rezultateve laboratorike nga dy laboratorët , IKSHPK-së dhe QRSHP-Mitrovicë, për katër ditët e fundit nga e premtja deri sot, ka bërë të ditur se ato rezultojnë brenda standardeve të parapara për ujin e pijes për të gjithë parametrat e kërkuar. Pra , sipas IKSHPK-së bazuar në këto rezultate, uji nga sot mund të përdoret për pije.

Por, IKSHPK-ja i rekomandon KRU “Mitrovica” dhe KRU “Prishtina” që të vazhdojë mbikëqyrjen dhe trajtimin e ujit dhe të sigurojë ujë në sasi dhe cilësi, sipas standardeve për ujin e pijes.

Kjo u bë e ditur nga njoftimi për media që lëshoi ky institut.

Aty thuhet se që nga dita e parë e ngjarjes së fundit në kanalin Ibër-Lepencit Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Qendra Rajonale e Shëndetësisë Publike në Mitrovicë  ka forcuar monitorimin e ujit për pije në zonën e shërbimit të KRU “Prishtina” dhe KRU”Mitrovica”, në Impiantet e trajtimit në Shipol, Balincë, Drenas dhe Shkabaj.

Thuhet se nga data 29 nëntor deri me 6 dhjetor janë aplikuar restrikcionet në rrjetet shpërndarëse të këtyre dy kompanive si pasojë e veprimeve të ndërmarra për sanimin e gjendjes në kanal.

“Bazuar në të dhënat nga KRU “Mitrovica” dhe KRU”Prishtina” me aktivizimin e By-pass, furnizimi me ujë nga kanali Ibër-Lepenc është stabilizuar në të gjitha Impiantet e lartëcekura për trajtimin e ujit, prandaj që nga data 07.12.24 nuk ka pasur restrikcione që nënkupton furnizim me ujë për konsumatorët për nevoja teknike (higjieniko-sanitare)”, thuhet në njoftim.

Ky institut ka treguar se gjatë këtyre ditëve nga të gjitha impiantet e lartëcekura ka marrë gjithsej 100 mostra të ujit për analiza fiziko-kimike, 100 për analiza bakteriologjike si dhe 13 mostra për analiza në metale të rënda.

“Rezultatet laboratorike nga dy laboratoret , IKSHPK dhe QRSHP-Mitrovicë, për katër ditët e fundit (e premte, e shtunë, e diele dhe e hënë, 06-09 dhjetor-2024) rezultojnë brenda standardeve të parapara për ujin e pijes për të gjithë parametrat e kërkuar sipas UA 10/2021 ”Cilësia e Ujit të destinuar për konsum nga njeriu”. Prandaj bazuar në këto rezultate: Uji që nga sot (09.12.2024) mund të përdoret për pije. IKSHPK i rekomandon KRU “Mitrovica” dhe KRU “Prishtina” që të vazhdojë mbikëqyrjen dhe trajtimin e ujit dhe të sigurojë ujë në sasi dhe cilësi, sipas standardeve për ujin e pijes bazuar në UA 10/2021 ”Cilësia e Ujit të destinuar për konsum nga njeriu”, ka bërë të ditur përmes njoftimit, IKSHPK-ja.


MË SHUME NGA Kosovë