Hajdari: Themelore është vetëdijesimi për të drejtat e njeriut
BKT
Kosovë

Hajdari: Themelore është vetëdijesimi për të drejtat e njeriut

K. K. / RTKlive

Sot është Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut. Niman Hajdari, zëvendës i Avokatit të Popullit, theksoi se ka mjaft sfida, pavarësisht punës dhe përpjekjeve të autoriteteve në Republikën e Kosovës për mbrojtjen e të drejtave të lirive të njeriut.

Hajdari theksoi se sivjet Avokati i Popullit ka pranuar 1mijë e 269 ankesa nga qytetarët që kanë të bëjnë me çështjen e mjeteve juridike dhe të drejtën për gjykim të drejtë e të paanshëm.

Në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, ai tha se e drejta themelore e njeriut paraqitet ende si sfidë dhe se ka të bëjë drejtpërdrejt me gjykatat e Kosovës, pavarësisht shtimit të numrit të gjyqtarëve, prokurorëve, stafit mbështetës.

“Ne pranojmë ankesa të qytetarëve për zvarritje të procedurave gjyqësore”, tregoi zëvendës i Avokatit të Popullit.

Ai bëri me dije se sa i përket aspektit të legjislacionit, masave administrative, masave gjyqësore, Republika e Kosovës ka shënuar përparim të dukshëm dhe në përgjithësi këto akte juridike të masave gjyqësore, administrative gjyqësore, janë në pajtim me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

“Ka pasur progres sa i përket trajtimit të komunitetit rom, ashkali, egjiptian, në kuptim të përmirësimit të jetës”, shtoi ai.

Hajdari theksoi se ka nevojë për vetëdijesim të popullatës edhe për të drejtat e tyre edhe për  institucionet të cilat i mbrojnë të drejtat e tyre themelore.

“Ne pranojmë ankesa nga fusha e të drejtave të pronës, punës, çështjet sociale, shëndetësore”, tha zëvendës i Avokatit të Popullit.


MË SHUME NGA Kosovë