Superheronjtë vizitojnë Klinikën e Pediatrisë|Video
BKT
Kosovë

Superheronjtë vizitojnë Klinikën e Pediatrisë|Video

Sh.G / RTKlive

Edona Toplica, menaxhere e fondacionit "Care for Kosovo Kids", Edona Toplica, ndau detaje për aktivitetin tashmë tradicional, ku superheronjtë vizitojnë Klinikën e Pediatrisë në Prishtinë.

Toplica për RTK theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me klubin “Alpin Prishtina”, duke vlerësuar përkushtimin e tyre në realizimin e këtij aktiviteti.

“Bashkëpunimin me klubin ‘Alpin Prishtina’ e kemi shumë të mirë. Qysh tash kemi plan edhe për vitin tjetër se çfarë do të bëjmë. Fëmijët këtu janë me sëmundje të ndryshme dhe për ta, ky aktivitet sjell shumë gëzim. Dhuratat tona, kryesisht lodra, i lumturojnë shumë, sidomos kur ato u jepen nga superheronjtë e tyre, të cilët këtë rol e luajnë pa përtesë anëtarët e ‘Alpin Prishtina’”, tha ajo.

Toplica zbuloi se këtë vit, përveç fëmijëve të shtrirë në klinikë, aktivitetit do t’u bashkohen edhe fëmijë nga jashtë, për t’u takuar me bashkëmoshatarët dhe për të parë superheronjtë në veprim.

Ajo shtoi se ky aktivitet është i dashur jo vetëm për fëmijët, por edhe për stafin mjekësor të klinikës. Fondacioni “Care for Kosovo Kids”, mbështetje për fëmijët me sëmundje të rënda

“Care for Kosovo Kids” është një organizatë holandezo-kosovare, e cila prej vitit 2013 siguron barna për trajtimin e fëmijëve me sëmundje të rënda, si kanceri dhe leukemia.

“Kemi arritur të sigurojmë të gjitha barnat e nevojshme për trajtimin e fëmijëve, falë një stafi profesional të mjekëve dhe mbështetjes nga donatorë të ndryshëm, si nga Holanda ashtu edhe nga Kosova. Kemi donatorë, biznese dhe individë të ndryshëm nga ata që besojnë në misionin tonë dhe dëshirojnë të kontribuojnë,” deklaroi Toplica.

Ky aktivitet sjell buzëqeshje dhe momente gëzimi për fëmijët.


MË SHUME NGA Kosovë