Përurohet salla e lojërave në spitalin e Mitrovicës, dedikim nga Izraeli
G.K/RTKlive
Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, së bashku me ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, zv.ministren e Shëndetësisë Dafina Gexha dhe ud drejtoreshën e Spitalit Rajonal të Mitrovicës, Laura Nushi, përuruan sallën e lojërave për fëmijë kushtuar fëmijëve të shtruar në Repartin e Pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës.
Ky projekt është një dedikim nga fëmijët e Izraelit për fëmijët e Kosovës në kujtim të fëmijëve të Izraelit që u vranë në masakrën e Hamasit më 7 tetor 2023.
Ambasadorja Ziv duke kujtuar sulmin e tetorit të vitit 2023-tës ndaj hebrenjve, ku u vranë 1200 njerëz mes tyre 39 fëmijë, tha se ky është një moment për të pranuar fuqinë e shërimit dhe shpresës, edhe përballë mizorisë e tragjedisë së thellë.
"Partneriteti ndërmjet Izraelit dhe Kosovës është i bazuar në vlerat e përbashkëta të shpresës, qëndrueshmërisë dhe humanizmit. Jam thellësisht e prekur nga solidariteti i popullit të Kosovës, i cili ka qëndruar me Izraelin në këto kohë të vështira. Dhembshuria juaj tregon lidhjen e qëndrueshme midis kombeve tona dhe pasqyron më të mirën e njerëzimit. ne duhet të qëndrojmë gjithmonë të bashkuar kundër urrejtjes dhe dhunës", tha ambasadorja izraelite.
























