Komuna: Bojkoti i punonjësve të ‘Pastrimit’, pakënaqësi ndaj kryeshefit
V.Th. RTKlive
Komuna e Prishtinës përmes një komunikate ka bërë të ditur se bojkoti i nisur dje dhe kaosi i krijuar me mbeturinat janë pasojë e pakënaqësive të punonjësve të kompanisë “Pastrimi” ndaj kryeshefit të tyre, dhe se kjo situatë ka lënë disa pjesë të qytetit pa menaxhim të mbeturinave, duke krijuar një situatë të rëndë që kërcënon shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve.
Sipas komunës për shkak të kapaciteteve të kufizuara dhe vështirësive të vazhdueshme brenda kësaj kompanie, në maj të këtij viti, ishin të detyruar të angazhojnë operatorë privatë për të marrë përsipër menaxhimin e mbeturinave në disa pjesë të kryeqytetit, për të siguruar qytetarët që të marrin shërbimet e merituara.
“Këta operatorë po vazhdojnë të punojnë me përkushtim dhe efikasitet në zonat ku janë përgjegjës”, thuhet nga Komuna e Prishtinës.
Ajo tutje njofton se bojkoti i punëtorëve të "Pastrimit" sot është ndërprerë, por sigurisht se do të duhen disa ditë që të sanohet dëmi.
Tuje komuna ka thënë që kjo situatë është "një pasqyrë e thellë e problemeve të brendshme të kompanisë dhe jo e mungesës së angazhimit dhe përkushtimit për kryeqytetin".























