Sveçla: Qeveria e përkushtuar në luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit
Elmina Osmani |RTK
Është publikuar raporti rreth angazhimit të Kosovës në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit.
Me këtë rast, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Qeveria ka qenë e përkushtuar në luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit në vend.
Luftimi i terrorizmit dhe ekstremizmit në vend vazhdon të jetë synim i qeverisë. Kështu tha ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, gjatë publikimit të raportit i cili pasqyron angazhimin e Kosovës në parandalimin e këtyre dukurive.
Ndërkaq, themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Fondit të Angazhimit dhe Ripërtëritjes së Komunitetit Global, Khalid Koser, e ka vlerësuar lart publikimin e raportit derisa tha se pak vende e kanë këtë seriozitet në parandalimin e terrorizmit.
Khalid Koser, drejtor ekzekutiv i Fondit të Angazhimit dhe Ripërtëritjes së Komunitetit Global
“Ky është raporti i shtatë monitorues dhe kjo është shumë me rendësi. Me këto sfida po përballemi në mënyra të ndryshme dhe duhet të monitorojmë. Raporti tregon nevojën për studimet empirike të cilat janë kryesisht lokale dhe duhet ta kuptojmë pse ndodhin”.
Të gjeturat e raportit i prezantoi Labinot Leposhtica, i cili tha se ka mangësi në komunikimin mes nivelit qendror dhe lokal si dhe institucionet janë në fazën fillestare për hartimin e dokumenteve në bazë shkencore për luftimin e terrorizmit.























