Prishtina me rajonin e saj me vetëm 80 zjarrfikës
Hyre Tejeci /RTK-Radio
Zjarrfikësit në Kosovë kanë nevojë për investime më të mëdha, që të përballen me emergjenca të papritura. Komandanti i Brigadës së Profesionale të Zjarrfikësve e Shpëtimit në Prishtinë, Muhamet Reqani, tha për Radio Kosovën se po vazhdojnë të përballen me numër të vogël të stafit për shkak të statusit të padefinuar ligjor të tyre. Prishtina ka mbi 227 mijë banorë dhe ka vetëm 80 zjarrfikës, bashkë me tri komuna të rajonit të saj.
Muhamet Reqani: Me çështjen e zjarrfikjes dhe shpëtimit duhet të merremi jo vetëm kur të ndodhin fatkeqësitë, por realisht duhet të mendohet për fazat e mëhershme, që është faza e parandalimit, e informimit të qytetarëve, etj. Shfrytëzoj rastin të shpreh keqardhje dhe mbështetje për të gjithë zjarrfikësit në Los Anxhelos, të cilët po përballen me një zjarr jashtëzakonisht shkatërrues.
Sa është i vështirë ky profesion, sa specifik është dhe me çfarë kapacitete funksiononi ju?
Muhamet Reqani: Është ndër profesionet më të vështira, një profesion që kërkon fuqi, kërkon angazhim. Është shumë i rrezikshëm. Por, edhe një prej profesioneve që të jep më së shumti një satisfaksion. Pothuajse pas çdo ndërhyrje e ke një kënaqësi, një ndjesi të veçantë, sepse sheh fytyra të qeshura, të lumtura. Është profesion i rregulluar me ligje e rregullore të veçanta. Fatkeqësisht në Kosovë nuk e ka ky profesion nivelin e duhur, sepse do të ishim të kënaqur edhe ne. Por, me këto resurse që kemi, Brigada Profesionale e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Prishtinë, veprojmë me të gjitha kapacitetet. Ajo konsiderohet se është themeluar pas Luftës së Dytë Botërore, diku 1947 dhe prej atëherë ka kaluar periudha të ndryshme të menaxhimit në nivel lokal e në nivel qendror. Për momentin kemi status të padefinuar, nëse jemi punëtorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme apo të Komunës së Prishtinës. Po sido që të jetë zjarrfikësit janë afër qytetarëve, pavarësisht se cili institucion i menaxhon.
Por, kjo është e nevojshme të jetë e saktësuar për shkak të investimeve që duhet të bëhen në këtë shërbim?
Muhamet Reqani: Pikërisht. Është shumë e nevojshme të investohet në ngritjen e kapaciteteve, sepse një prej sfidave më të mëdha që kemi është numri i vogël i personelit edhe vjetërsia e pajisjeve. Ky status i padefinuar ka ndikuar që për afër 20 vjet janë rekrutuar vetëm tetë zjarrfikës edhe aty ka pasur problem. Tani kur po bisedojmë kanë nisur procedurat e një konkursi dhe këtë vit do të rekrutohen edhe 30 zjarrfikës, të cilët sadokudo do të zbusin problemin e personelit. Njësitë e zjarrfikësve organizohen edhe në bazë të numrit të banorëve. Në bazë të ligjeve në fuqi, çdo 1500 banorë duhet të kenë një zjarrfikës profesionist. Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, Prishtina i ka rreth 227 mijë banorë dhe përveç kësaj BPZSH e mbulon edhe komunën e Fushë Kosovës, Obiliqin, dhe Graqanicën, që e rritë edhe më shumë numrin e banorëve. Po ashtu edhe Prishtina është e stërngarkuar gjatë ditës për shkak të zhvillimit që ndodh, është epiqendër, kryeqytet dhe numri i zjarrëfikësve në total është 80, ndërsa vetëm Prishtina është dashur t’i ketë të paktën 151 zjarrfikës.
As gjysmën e stafit që i duhet vetëm Prishtinës nuk e paskët?
Muhamet Reqani: Nuk ka pasur qeveri që është ndryshuar e që nuk e kemi ngritur këtë shqetësim…
A ju pengon edhe insrastruktura dhe organizimi i qytetit?
Muhamet Reqani: Pa dyshim që kjo ndikon shumë, sepse nuk zbatohen normat për mbrojtje nga zjarri. Çdo objekt duhet të ketë hidrant, shkallë të emergjencës e kushte të tjera sikur në vendet e zhvilluara.
Çfarë përgatitje profesionale duhet të ketë një zjarrfikës?
Muhamet Reqani: Kritere bazike për një zjarrfikës kërkohet shkolla e mesme, pastaj ka faza të trajnimeve në Akademinë për Sigurinë Publike dhe në Qendrën e Integruar për Trajnime në Vushtrri. Ka disa lloje trajnime përmes të cilave aftësohen anëtarët e zjarrfikësve. Por gjithë ky trajnim organizohet me mbështetje vendore. Nuk kemi pasur mundësi të dalim jashtë dhe të marrim edhe përvoja të tjera, megjithatë me këto përgatitje jemi munduar që të shërbejmë për qytetarët në çdo kohë.
A keni sigurime shëndetësore?
Muhamet Reqani: Jo nuk kemi. Madje nuk kemi qenë të liruar as në shumë shërbime publike, ku shërbime të tjera të sigurisë kanë qenë të liruar. Tash kemi një Memorandum me kryeqytetin, i cili parasheh kontrolla sistematike mjekësore…
Cila është mosha mesatare në shërbimin tuaj?
Muhamet Reqani: Tani është 43 vjet dhe besoj që me këtë kontigjentin e ri që pritet të rekrutohet do të zbresë pak edhe mosha mesatare në institucionin tonë, sepse e thashë edhe më herët, për 20 vjet kemi qenë pothuajse pa asnjë rekrutim.
Sa të rrezikuar jemi, pra?
Muhamet Reqani: Jo, dua të siguroj të gjithë qytetarët se BPZSH në Prishtinë nuk ka kursyer e as nuk do të kursej mundin e vet për të reaguar në çdo emergjencë që shfaqet, edhepse është ngarkesë më shumë psikike për shkak të numrit të vogël të stafit tonë.
Ju thatë që edhe pajisjet i keni të vjetruara, apo jo. Sa afat duhet të kenë ato?
Muhamet Reqani: Automjetet me të cilat operojmë duhet të kenë një afat prej 15 vjet përdorimi. Por ne kemi 25 automjete në tërësi si Brigadë dhe vetëm 5 prej tyre e plotësojnë këtë kusht. E kemi ngritur këtë shqetësim vazhdimisht, por pikërisht kjo çështja e statusit të padefinuar na ka lënë me këto kushte.
Por qenka urgjente të adresoni këtë çështjen e definimit të statusit?!
Muhamet Reqani: Po, sigurisht. Do të vazhdojmë të kërkojmë. Por është edhe një çështje tjetër se pajisjet e zjarrfikësve janë shumë të kushtueshme dhe komunat nuk kanë buxhet të mjaftueshëm për të investuar.
Por, duhet edhe komunat ta caktojnë ndër prioritetet kryesore këtë investim, sepse e shikoni çfarë po ndodh në Los Anxhelos? Çka nëse nesër përballemi me një situatë të ngjashme?!
Muhamet Reqani: Është fat i madh që Kosova nuk e ka rilievin e Los Anxhelosit dhe ato temperatura, por nëse do të përballeshim, do të kishim një sfidë të jashtëzakonshme.
Është një profesion shumë fisnik e human, komandant!
Muhamet Reqani:E vërtetë. Një profesion që e kam zgjedhur vetë dhe nuk e ndërroj me asnjë tjetër. Në 2004 kur kam nisur nuk kam pasur asnjë njohuri për këtë profesion, por tani jam shumë i mishëruar me të dhe punoj, sepse për pagë nëse mendohet, është pak problem…
Intervista është realizuar nga Hyrë Tejeci Murati, duke marrë shkas zjarrfikësit në Los Anxhelos në Kaliforni, të cilët po përgatiten për sot një stuhi tjetër të erërave, në përpjekje për të parandaluar vatra të reja të zjarreve.























