`EC Ma Ndryshe`, platformë digjitale për muzetë e Kosovës
K. K. / RTKlive
Organizata “EC Ma Ndryshe” ka lansuar platformën online për muzetë e Kosovës. Edin Gështenja, asistent i projekteve në organizatën “Ec Ma Ndryshe”, tha se me platformën digjitale për muzetë e Kosovës kanë synuar avokimin e funksionalizmit të këtyre muzeve që shërbejnë për qytetarët dhe të gjithë turistët që interesohen në këtë platformë.
Ai në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Prizreni për RTK-në tha se kanë dhënë informata shumë të rëndësishme, disa fjali çfarë është muzeu, në cilën ndërtesë është, çfarë eksponate ka brenda, çfarë tipologjie, orarin e punës, disponueshmërinë e ciceronëve dhe se a ka qasje për persona me aftësi të kufizuara.
“Projekti të cilin jemi duke e implementuar “për qëllim ka pasur ruajtjen e trashëgimisë kulturore, zhvillimin dhe inovacionin me të cilin e kemi paraparë edhe këtë aktivitet platformë të muzeut”, pohoi ai.
Ndër të tjera ai shtoi se “temën e muzeut e kemi prekur në disa fusha jo vetëm për platformë, por për këto kemi bërë edhe video orientuese të cilat shërbejnë për vizitorët për të gjetur destinacionin e këtyre muzeve”.
“I kemi bërë dy muze virtuale. Për shkak se Muzeu Arkeologjik i rajonit të Prizrenit dhe ai i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit janë dy muze që nuk kanë mundësi të ofrojnë qasje për personat me aftësi të kufizuara, e kemi parë të arsyeshme t’u mundësohet qasja edhe këtyre personave që nuk mund të vizitojnë fizikisht, të hyjnë në mënyrë virtuale nëpërmjet virtualizimit 3d t’i vizitojnë eksponatet në këto muze”, tha Gështenja.
Po ashtu, ai bëri me dije se në platformë të muzeve janë përfshirë katër qytete: Prizreni, Mitrovica, Gjakova dhe Prishtina.
Për këtë projekt ka shkruar edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), e cila ka përkrahur realizimin e këtij projekti. MKRS ka njoftuar se në platformë aktualisht ofrohen informata për muzetë aktive në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë dhe Gjakovë, përfshirë llojin e muzeut, artefaktet e ekspozuara, lokacionin, orarin e punës, kontaktet etj., me qëllim që ato të jenë më të qasshme për qytetarët dhe turistët. Gjithashtu, ka bërë me dije se përmes kësaj platforme synohet promovimi i muzeve të Kosovës, rritja e numrit të vizitorëve, orientimi më i lehtë i turistëve, sikurse edhe digjitalizimi i të dhënave të hulumtuara.
Platforma në mënyrë të vazhdueshme do të pasurohet me informata të duhura për muzetë në Kosovë.
Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit "Trashëgimia kulturore për të gjithë: ruajtja, edukimi, zhvillimi dhe inovacioni".























