Vështirësi në qarkullim, qytetarët kërkojnë intervenimin e komunës
Hana Marteti /RTK
Gropat e hapura janë problem i madh në kryeqytet. Banorët e rrugës `Xhavit Ahmeti` dhe `Karadaku`, tash e disa muaj po përballen me vështirësi në qarkullim, gjithashtu kjo gropë po u shkakton probleme të mëdha edhe pronarëve të shtëpisë aty.
Sabile Uka thotë se kjo gropë e hapur po shkakton probleme të vazhdueshme për 15 anëtarët e kësaj familjeje.
“Prej kësaj grope afër, kam lagështi të madhe, 15 anëtarët e familjes jetojmë këtu, e kemi problem prej lagës dhe mykut. Nuk kemi marrë kurrfarë përgjegjësie, katër herë ka qenë komuna, e kanë parë që është rrezik. Me laminat dhe gjithçka, më ka prishur gjithçka. Çdo javë mund tu fshihet myku...”, thotë ajo
Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Donat Lushaku, ka thënë për RTK-në se Drejtoria e Investimeve Kapitale po zhvillon disa punime finale në këtë pjesë dhe se do të intervenojnë për mbylljen e gropës.
Por, familja Uka kërkon që derisa të bëhet zgjidhja, të paktën të kompensohen dëmet.
“Me bo më mundet me më zënë mu me krejt familjen brenda, me 15 anëtarë”, ka thënë Uka.
Në anën tjetër, banorët e tjerë të kësaj lagjeje thonë se kjo gropë është e rrezikshme edhe për qarkullimin e përditshëm.
“Me bo mos me shikuar mirë, e me qenë tërhequr, ka shumë mundësi që përfundojnë atje poshtë. Kjo gropë është tepër e rrezikshme, ka raste kur ka rënë vetura poshtë, shpeshherë me kërcënim të madh, duhet të largohemi dhe të prekim shtyllën elektrike”, thotë një vozitës.
Banorët shtuan se ka afro një vit që u është premtuar rregullimi i këtij problemi.























