Qendra e Kompetencës në Ferizaj shënon Ditën Ndërkombëtare të Arsimit
Sh.G / RTKlive
Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Arsimit, e për të shënuar këtë ditë, Qendra e Kompetencës në Ferizaj ka organizuar aktivitete të ndryshme, të cilat u prezantuan nga Arta Sylejmani, drejtoreshë e kësaj qendre, në një lidhje të drejtpërdrejtë në RTK.
Sipas Sylejmanit, nxënësit e kësaj qendre, të ndarë në profilet e tyre përkatëse, kanë përgatitur prezantime të punës së tyre praktike para instruktorëve.
“Në shkollën tonë operojnë gjithsej shtatë profile profesionale, të cilat përfshijnë infermierinë, fizioterapinë, laborantin mjekësor, farmacistin, teknikun dentar, teknikun e optikës dhe sigurinë ushqimore e dietat”, theksoi ajo.
Ajo shtoi se përmes këtyre profileve, nxënësit kanë mundësinë të zhvillojnë aftësitë praktike dhe teorike, duke u përgatitur për tregun e punës.
“Me qenë se jemi në profile shëndetësore, shohim që nxënësit tanë kanë një perspektivë të shkëlqyer për të ardhmen. Këto profesione janë shumë të kërkuara dhe ofrojnë mundësi të shumta për zhvillim profesional”, deklaroi Sylejmani.
Dita Ndërkombëtare e Arsimit shërben si një thirrje për të reflektuar mbi rëndësinë e arsimit cilësor dhe për të inkurajuar përfshirjen e të rinjve në fusha të ndryshme profesionale, duke kontribuar kështu në zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë.























