Policia e Kosovës dhe Komuna e Malishevës përkujtojnë heroin Sami Thaçi
V.Th. RTKlive
Në pesë vjetorin e rënies u përkujtua Heroi i Kosovës, Sami Thaçi.
Komuna e Malishevës njofton se sot, në pesë vjetorin e rënies, është përkujtuar Heroi i Kosovës, Sami Thaçi, pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe veteran i luftës së UÇK-së, i cili dha jetën heroikisht në krye të detyrës.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, zyrtarë policorë, veteranë të luftës së UÇK-së dhe shumë qytetarë kanë bërë nderime dhe kanë vendosur kurora me lule pranë varrit të tij në fshatin Shkarashnik të Malishevës.
“Samiu ka rënë heroikisht në krye të detyrës, duke mbrojtur rendin, ligjshmërinë dhe jetën e qytetarëve të vendit tonë. Ju, familje e Samiut, duhet të jeni krenarë për të kaluarën, veprat dhe heroizmin e tij,” ka thënë kryetari Kastrati. Ai gjithashtu ka vlerësuar lartë kontributin e tërë familjes Thaçi në luftën çlirimtare.
Kurse, drejtori i Përgjithshëm ka thënë se Samiu ra heroikisht në kryerje të detyrës pa kursyer edhe jetën e tij.
Policia e Kosovës ka thënë se homazhet u zhvilluan në një atmosferë nderimi dhe respekti.
“Heronjtë e Policisë së Kosovës dhanë më të shtrenjtën jetën e tyre për një siguri më të madhe të qytetarëve dhe vendit, andaj do të përkujtohen gjithmonë nga Policia e Kosovës”, thuhet nga Policia e Kosovës.























