Komuna e Podujevës e GIZ përmbyllin projektin për ndarjen e mbeturinave
G.K/RTKlive
Komuna e Podujevës, në bashkëpunim me GIZ Kosova, ka përmbyllur me sukses projektin “Bashkë për një ambient më të pastër”, një iniciativë që ka kontribuar në përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave dhe ndarjen e tyre në shkolla dhe institucione.
Sipas njoftimit të Komunës së Podujevës, ky projekt, i mbështetur nga kompanitë për menaxhimin e mbeturinave “Pastrimi” dhe “Natyra”, ka arritur rezultate të rëndësishme, përfshirë:
Ndarjen e mbeturinave të letrës dhe plastikës në shkollën "Dr. Ibrahim Rugova";
Trajnimin e 13,000 nxënësve dhe mësimdhënësve për ndarjen e mbeturinave përmes aktiviteteve edukative;
Pajisjen e institucioneve publike me 374 kosha për ndarjen e mbeturinave, duke mbështetur riciklimin;
Rritjen e numrit të familjeve të regjistruara për grumbullimin e mbeturinave nga 13,440 në 19,454.
"Në përmbyllje të projektit, Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, falënderoi Udhëheqësen e programit, Marianne Alker, dhe të gjithë bashkëpunëtorët për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në këtë iniciativë. Ai theksoi se ky projekt ka ndihmuar në përafrimin e praktikave lokale me standardet e Bashkimit Evropian për ndarjen e mbeturinave dhe ka kontribuar në një të ardhme më të qëndrueshme për komunitetin", theksohet në njoftim.























