Miratohet buxheti i Komunës së Gjilanit
B. H. | RTKlive
(Plotësuar, 11:55) Pas shtatë muajsh zvarritje, Kuvendi Komunal i Gjilanit mes polemikash e diskutimesh të pushtetit dhe opozitës ka votuar buxhetin për vitin 2025.
Në seancën e cilësuar në dakordancë pozitë-opozitë si e jashtëzakonshme dhe urgjente, e cila është udhëhequr nga Kushtrim Kadriu, kryesues i Kuvendit, e mbajtur të enjten, pika e projekt-buxhetit për vitin 2025 është miratuar në mënyrë unanime, me 33 vota për dhe asnjë kundër.
Gjatë adresimit para kuvendarëve, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka thënë se kjo seancë nuk është ftuar sipas procedurave siç e thotë ligji, pasi do të duhej të cilësohej si seancë urgjente e ftuar nga ai, për ta prezantuar më pas buxhetin për vitin 2025.
“Totali i kufijve buxhetorë për buxhetin e vitit 2025 është 39.897.577 euro. Për të tjerat, nga granti i përgjithshëm kemi rreth mbi 14.5 milionë euro, granti për shëndetësi 4.3 milionë euro, granti për arsim 14.4 milionë euro, të hyrat vetanake 6.1 milionë euro, për paga dhe mëditje do të shpenzohen 20.6 milionë euro, në mallra dhe shërbime 7.7 milionë euro, në shpenzime komunale 628 mijë, në subvencione 1.9 milionë euro dhe shpenzime kapitale rreth 8.8 milionë euro”, është shprehur Hyseni.
Ai theksoi se në total janë 31 projekte kapitale, të cilat janë të planifikuara për t’u realizuar në vitin 2025.
Avdyl Aliu, shef i grupit të LDK-së, ka thënë se e votojnë buxhetin e planifikur me disa projekte shtesë të propozuar nga partia e tij, me përjashtim të projektit të bulevardit të qytetit, pasi, sipas tij, është në kundërshtim me Planin Zhvillimor Urban dhe me planet e niveleve të tjera, të cilën e ka kundërshtuar kreu i Gjilanit, duke thënë se ky projekt është në harmoni të plotë me legjislacionin në fuqi.
Shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Bujar Nevzati, pasi konfirmoi se do ta votojnë buxhetin, ka propozuar ndarjen e një millioni euro për varrezat e qytetit, projektin për ndërtimin e një qendre për qentë endacakë, funksionalizimin e shkollës së agro-biznesit etj., derisa Nazim Gagica, shef i AAK-së, tha se shtatë muaj më parë i ka dhënë mbështetje buxhetit, për të shtuar se nuk e ka asnjë kërkesë e as propozim shtesë.
Kërkesat të LDK-së dhe PDK-së morën mbështetjen e shumicës së kuvendarëve, ndërkaq, projekt buxheti në tërësi mori mbështetjen unanime të 33 asambleistëve prezentë të të gjitha partive politike.
Ka filluar seanca e Kuvendit të Gjilanit, pritet votimi i buxhetit
Ka filluar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Gjilanit, ku pritet të votohet buxheti për vitin 2025. Kryetari i kësaj komune, Alban Hyseni ka kërkuar nga opozita që ta mbyllin seancën e jashtëzakonshme dhe të kalojnë në seancën urgjente të ftuar nga ai.
“Jam shumë i gatshëm që çdo kërkesë që e keni për buxhetin ta diskutojmë dhe ta inkorporojmë në buxhet. Diskutimi, shqyrtimi dhe aprovimi i buxhetit është i juaji, propozimi më takon mua. Vazhdoni me shqyrtim, ndryshojeni buxhetin dhe aprovohet. Mbylleni këtë seancë të jashtëzakonshme, vazhdojmë me seancë urgjente. Unë nuk propozoj buxhet në seancë të jashtëzakonshme”, ka thënë Hyseni në adresimin e tij para asamblistëve.
Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Ismajl Kurteshi ka kërkuar nga palët që t’i harmonizojnë qëndrimet dhe të vazhdohet. “Kjo seancë le të jetë e ftuar edhe urgjente nga kryetari, edhe e jashtëzakonshme e ftuar nga opozita. Uluni të dyja palët dhe bazuar në rregullore dhe në ligj përafroni qëndrimet. Sot nga kjo sallë asnjëri prej nesh nuk guxojmë të dalim jashtë pa e votuar buxhetin për shkak të inateve apo logjikës së bajraktarizmit. Sot kuvendi e ka obligim ta votojë buxhetin. Seanca të jetë e përbashkët edhe urgjente edhe e jashtëzakonshme, asgjë nuk prish punë. E rëndësishme është që sot ne këtu bashkë ta votojmë buxhetin”, tha ai.
Me këtë propozim të tij u pajtuan edhe asamblistët e opozitës dhe seanca po vazhdon me paraqitjen e projektbuxhetit nga kryetari i komunës, Alban Hyseni.























