Sot hapet ekspozita e persekutimit të hartuesve të alfabetit shqip
K. K. / RTKlive
Sot në Institutin Albanologjik në Prishtinë do të hapet ekspozita “Persekutimi komunist i hartuesve të alfabetit shqip dhe familjarëve”, një bashkëpunim me Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasoja e Komunizmit me seli në Tiranë.
Naim Berisha, ushtrues i detyrës së drejtorit të Institutit Albanologjik, theksoi se në këtë ekspozitë "do të paraqiten fakte të panjohura më parë mbi persekutimin komunist të hartuesve të alfabetit shqip dhe familjeve të tyre, e që për publikun është një shpalosje e të dhënave shoqëruar me fotografi, me mbishkrime, me sqarime, sidomos ato fakte që konsiderohen të pathëna për këtë ngjarje”.
“Kongresi i Manastirit është një datë e rëndësisë së veçantë që, në një njëfarë mënyre, i bashkoi dhe i përudhi shumë çështje shqiptare, për kohën kur u mbajt, e persekutimi i delegatëve, në mënyrë të veçantë i familjarëve të atyre - pasardhësve - është një njollë që duhet të zbardhet dhe ta njohë publiku. Kjo ekspozitë për herë të parë po hapet në Kosovë. E njëjta ekspozitë ka ndodhur në Manastir, pastaj në Shkup”, tha Berisha në “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK.
Ndër të tjera, Berisha theksoi se e kanë vlerësuar të rëndësishme shpalosjen e kësaj ekspozite, ku në mënyrë të re dhe të veçantë shfaqet para publikut një pasqyrë e panjohur ndoshta plotësisht për publikun e gjerë.























