Xhemajli: Familja Rama, shembull i një rezistence ndaj spastrimit etnik
BKT
Kosovë

Xhemajli: Familja Rama, shembull i një rezistence ndaj spastrimit etnik

E.Hoti/RTKlive

Sot shënohet 26-vjetori i rënies së dhjetë dëshmorëve të Familjes Rama në fshatin Shkabaj të Obiliqit. Dëshmorët e kësaj familje, në mesin e tyre edhe fëmijë, ishin vrarë nga forcat serbe me rastin e fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë.

Ish-epror i UÇK-së në zonën operative të Llapit, Agron Xhemajli, njëherësh mik i tre dëshmorëve Agronit, Farukut dhe Albertit, tha se me pjesëtarët e kësaj familje i ka bashkuar veprimtaria politike dhe atdhetare.  

“Është Agron Rama, ai, i cili ka filluar i pari veprimtarinë e organizuar politike që në vitet e ’90-ta dhe si rezultat i kësaj kemi vazhduar bashkëpunimin edhe në luftën çlirimtare. Agroni me vëllaun e tij dhe me djalin e axhës Farukun kanë qenë pjesëtarët e parë të kësaj familje që janë kyçur në UÇK. Sot është përvjetori i rënies së tyre dhe aty kanë rënë 10 dëshmorë”, tha ai në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK.

Xhemajli ka rrëfyer se forcat armike kanë rrethuar shtëpinë e tyre duke e ditur se ishte bazë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Agron Rama ishte një prej organizatorëve të parë të UÇK-së në rajonin e Prishtinës. Baza e parë e UÇK-së në vitin 1998 ishte në shtëpinë e tij dhe aty është grumbulluar armatim. Lufta që është zhvilluar aty ka qenë një luftë në rrethim. Për fat të mirë gjysma e familjes arritën të largohen, por pjesa tjetër qëndrojë aty dhe luftuan së bashku, ku u vranë të dhjetit”, ka rrëfyer ai.

Ai ka theksuar se rënia e Agron Ramës me të gjithë anëtarët e familjes ishte një rezistencë ndaj spastrimit etnik. Sipas tij, si rezultat i kësaj beteje, e gjithë ajo zonë ishte alarmuar dhe janë larguar nga një masakër e predispozuar që mund të ndodhte atë ditë.

Në çastin kritik kur u sulmuan, qëndruan në rezistencë dhe ranë bashkërisht, Ismet Halil Rama, Agron Ismet Rama, Albert Ismet Rama, Faruk Izet Rama, Xhevat Qamil Rama,Shqipe Xhevat Rama,Syzana Xhevat Rama, Bejtush Halil Rama,Xheladin Qamil Rama, Hamide Rama.


MË SHUME NGA Kosovë