Lëvizja ‘FOL’ prezantoi këtë instalacion në prag të Ditës së Evropës
Valjete Shala/ RTK
Lëvizja ‘FOL’ organizoi konferencë për media ku prezantoi instalacionin artistik “From Here to Anywhere”, në kuadër të shënimit të Ditës së Evropës. Instalacioni u vendos në hapësirën publike te shkallët e lagjes “Arbëria”, ku morën pjesë përfaqësues të organizatës, aktivistë, qytetarë dhe të ftuar të tjerë.
Më shumë se një vit më parë, në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, pritjet e qytetarëve pranë ambasadave ishin me radhë të gjata për t'u pajisur me viza drejt BE-së.
Por tashmë hapësirat e kësaj lagjeje janë shndërruar në një vepër arti, përmes një instalacioni simbolik me mbishkrimin “From Here to Anywhere”.
Mexhide Demolli-Nimani nga Lëvizja ‘FOL’ tha se ky instalacion simbolik është edhe një thirrje për një Kosovë që ecën drejt integrimit përmes drejtësisë, barazisë dhe lirisë.
“Në këtë ditë simbolike le të jetë kjo një thirrje për më shumë veprim e më pak retorik, për një Evropë që nuk përjashton por përfshin, për një Evropë që mbanë premtime. Një kërkesë që vie nga shoqëria civile është që të përshpejtohet rruga drejtë integrimit evropian përmes reforma të thella në sundimin e ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe garantimit të lirisë demokratike”, tha Nimani.
E pranishme ishte edhe ambasadorja e Holandës, Karin Boven.
“Le të jetë ky një moment i reflektimit mbi vlerat e përbashkëta që na bashkojnë me Evropën. Kjo nuk është vetëm një vepër arti ? është mishërim i vlerave që na bashkojnë si uniteti, paqja dhe solidariteti”, tha ambasadorja holandeze.
Kurse autori i veprës, Driton Selmani, tregoi për qëllimin e veprës.
“Kam dashur që loja e fëmijëve me u shndërruar këtu, vepra ose slogani me qenë në qiell mbi idenë e mundësisë edhe kapacitetit të mushkërive tona që me marr frymë më lirë edhe të mos kalojmë në ato barrierat që kur i kujtoj janë shumë të frikshme”, tha Selmani.
Kurse drejtoresha e Kulturës në Prishtinë, Sibel Halimi, tha se do të punojnë për të krijuar më shumë hapësira të tilla në kryeqytet.























