Malisheva nënshkruan marrëveshje për shërbime publike efikase
V.Th / RTKLive
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi me Drejtorinë Rajonale të Policisë së Gjakovës, të përfaqësuar nga drejtori rajonal, Lumni Graishta, si dhe me Postën e Kosovës.
Sipas njoftimit nga Komuna e Malishevës, kjo marrëveshje synon forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për ofrimin e shërbimeve më të koordinuara dhe efikase për qytetarët e komunës së Malishevës. Ajo përfshin iniciativa të përbashkëta në fushën e sigurisë publike, komunikimit dhe shpërndarjes së dokumenteve zyrtare, duke përfshirë gjithashtu edhe zbatimin e shërbimeve të avancuara logjistike dhe teknologjike.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, kryetari Kastrati ka theksuar se kjo marrëveshje paraqet një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një administrate moderne dhe më të afërt me qytetarët:
“Kjo marrëveshje është një hap konkret drejt ndërtimit të një administrate më funksionale, të lidhur ngushtë me qytetarin dhe të përkushtuar për të ofruar shërbime të shpejta dhe cilësore. Bashkëpunimi ndërinstitucional është çelësi për shërbime më cilësore dhe më afër qytetarit”, ka thënë Kastrati.
Ndërsa drejtori i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta, ka vlerësuar lart iniciativën, duke shprehur përkushtimin e Policisë së Kosovës për të kontribuar në realizimin e qëllimeve të përbashkëta:
“Ky partneritet institucional shënon një shembull të mirëfilltë të qasjes së koordinuar mes niveleve lokale dhe regjionale për zhvillim të qëndrueshëm dhe shërbime moderne që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve”, ka thënë Graishta.
Marrëveshja e sotme dëshmon përkushtimin e institucioneve për të ndërtuar ura bashkëpunimi në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve publike.























