Kryetari Kadri Rahimaj takim me Kryetarin e qytetit Yamaguchi në Japoni
V.Th / RTKLive
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, është pritur në një takim zyrtar dhe miqësor nga Kryetari i qytetit Yamaguchi të Japonisë, Kazuki Ito. Në këtë vizitë, Rahimaj ishte i shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari.
Rahimaj përmes një postimi në Facebook, ka bërë se qëllimi i takimit ishte forcimi i lidhjeve ndërmjet dy qyteteve dhe vendosja e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, si arsimi, kultura dhe agroturizmi.
Sipas Rahimajt gjatë bisedës, kanë diskutuar edhe për mundësitë e krijimit të partneriteteve mes shkollave, projekteve rinore dhe promovimit të trashëgimisë kulturore të të dyja vendeve.
Rahimaj ka vlerësuar lart qytetin Yamaguchi, të njohur për cilësinë e lartë të arsimit, zhvillimin e qëndrueshëm rural, agroturizmin, mbrojtjen e mjedisit dhe ruajtjen e traditave përmes festivaleve kulturore. Ai shprehu gatishmërinë që Kamenica të jetë një partnere e hapur në ndërtimin e urave të miqësisë dhe shkëmbimit ndërkombëtar.
Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje të ndërsjellë, gjatë takimit u shkëmbyen dhurata simbolike. Një nga dhuratat e veçanta ishte një pikturë e qytetit të Kamenicës, realizuar me shumë dashuri nga nxënësja e klasës së nëntë, Medina Ramabaja.
Kryetari Rahimaj ka falënderuar në mënyrë të veçantë Ambasadorin Sabri Kiçmari për përkrahjen dhe përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në Japoni, duke theksuar rëndësinë e diplomacisë komunale në ndërtimin e marrëdhënieve të reja ndërkombëtare për zhvillim të përbashkët.























