Peja nderon personalitete dhe sipërmarrës me tituj nderi
BKT
Kosovë

Peja nderon personalitete dhe sipërmarrës me tituj nderi

G.K/RTKlive

Me rastin e 26-vjetorit të çlirimit të qytetit, Komuna e Pejës ka mbajtur një ceremoni zyrtare nderimi, ku janë shpërndarë tituj mirënjohjeje për personalitete të shquara, sipërmarrës dhe figura të ndjera që kanë lënë gjurmë në jetën publike, kulturore dhe zhvillimore të qytetit.

Titulli “Qytetar Nderi” iu nda bamirësit të njohur Halil Kastrati, intelektualit Zija Mulhaxha, si dhe Uke Nimani. Ndërkohë, titulli “Qytetare Nderi e Huaj” iu dha Rosaria Succurro, presidente e provincës së Kozencës në Kalabri, e cila kontribuoi për të krijuar lidhje mes komunitetit të Pejës me komunitetin e arbëreshëve. 

Në të njëjtën ceremoni, titulli “Nderi i Qytetit” u nda për disa prej sipërmarrësve të suksesshëm të Pejës që kanë kontribuar ndjeshëm në zhvillimin ekonomik të vendit. Për kontributin e jashtëzakonshëm për zhvillimin e Pejës dhe Kosovës, u nderuan Ramiz Kelmendi, Ekrem Lluka,  Shkëlqim Devolli dhe Blerim Devolli.

Komuna nderoi edhe disa personalitete me tituj “Post Mortum”, duke përkujtuar veprën dhe trashëgiminë e tyre.
    Profesori i ndjerë Syle Osmanaj u nderua me çmimin “Azem Shkreli”.
    Dr. Xhevdet Ademaj dhe Dervish Avdiaj u shpallën “Qytetarë Nderi - Post Mortum”.

Në fushën e kulturës, skulptori Gëzim Muriqi u nderua me Titullin “Lekë Dukagjini”, si vlerësim për veprimtarinë e tij artistike.

Gjithashtu, pak ditë më parë, Komuna e Pejës e ka shpallur artistin e njohur Timo Flloko si “Qytetar Nderi”, i cili ka lindur në Pejë dhe ka kontribuar për shpalosjen e vlerave artistike e kulturore të vendit.

Komuna e Pejës nderoi gjithashtu me titullin “Mirënjohje”: "Shoqatën e Sportit", "SHBA-Gjeravica”, Vehbi Shalën dhe Mevlyde Pupovcin.

Ceremonia u vlerësua si një akt simbolik mirënjohjeje për ata që kanë kontribuar në historinë, zhvillimin dhe identitetin e Pejës.


MË SHUME NGA Kosovë