KRU `Mitrovica` merr masa për parandalimin e keqpërdorimit të ujit
V.Th / RTKLive
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” njofton qytetarët për rëndësinë e përdorimit të ujit të pijshëm vetëm për nevoja esenciale gjatë sezonit të verës, duke apeluar për kursim dhe përdorim racional të këtij burimi jetik.
Sipas Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit dhe bazuar në legjislacionin në fuqi, është e ndaluar përdorimi i ujit për larje trotuaresh, ujitje të kopshteve, mbushje pishinash apo për qëllime të tjera jo të autorizuara.
KRU “Mitrovica” ka intensifikuar kontrollet në terren përgjatë 24 orëve për identifikimin dhe procedimin e keqpërdoruesve të ujit. Në rast të shkeljeve, uji ndërpritet menjëherë, edhe për konsumatorët që posedojnë ujëmatës dhe janë pagues të rregullt.
Gjithashtu, kompania po zhvillon fushata të vazhdueshme informuese për vetëdijesimin e qytetarëve lidhur me rëndësinë e ujit të pijshëm dhe nevojën për kursim.
KRU “Mitrovica” thekson se këto masa kanë për qëllim krijimin e një qasjeje të barabartë dhe të qëndrueshme për të gjithë qytetarët në sigurimin e ujit të pijshëm.























