Komuna e Ferizajt miraton kornizën buxhetore 2026-2028 pa opozitën
Driton Ramadani /RTK
Edhe në Kuvendin e Ferizajt pati përplasjeve politike dhe bojkot nga opozita. Megjithatë, Kuvendi i komunës e ka miratuar Kornizën Afatmesme Buxhetore 2026-2028.
Me 22 vota për, pa votën e LVV dhe të LDK, të cilët e lëshuan seancën, Kuvendi i Komunës së Ferizajt ka miratuar kornizën afatmesme buxhetore 2026-2028. Opozita tha se ky dokument po përsëritët dhe nuk janë inkorporuar shumë projekte.
“Korniza afatmesme buxhetore siç e theksova edhe në kuvend nuk përmban risi. Janë projekte përsëritëse të cilat në mandatin e kaluar nuk i ka përfunduar. Për mua është shumë e rëndësishme që nuk ka çerdhe të reja, nuk është rregullimi i trotuarit Poajt-Softaj, nuk ka hapësira të gjelbra në qytet dhe nuk ka pare të ndara për parkun në fshatin Rahovicë dhe ujësjellësin në Dardan, Zllatar Mirosal dhe Sojevë. Mirëpo kjo është e rëndësishme për kryetarin që 5 milionë euro t'i dërgojë pa u treguar specifikisht ku do të shkojnë ato para”, tha Brahim Osmani, nga LVV.
“Korniza afatmesme e paraqitur sot realisht nuk plotëson nevojat reale të qytetarëve të Ferizajt. Ka mungesë të vizionit. Projektet e paraqitura janë projekte të paraqitura në fillim të mandatit dhe kjo tregon se kanë dështuar në realizimin e tyre”, tha Flamur Istrefi, nga LDK.
E kreu i komunës, këtë kornizë e quajti të rëndësishëm për zhvillimin e Ferizajt,
"Dhjetëra projektet që përbëjnë këtë kornizë investimore, janë nistoret e zhvillimit të Ferizajt, duke I dhënë kaheje të reja, duke hapur kapituj të ri ecjeje përpara. Duke çmuar e vlerësuar secilin mendim të qytetarëve, propozimet që ngërthehen në këtë dokument, reflektojnë qartësisht e tërësisht, nevojat që ferizajasit kanë për projekte zhvillimi, që jo vetëm sanojnë një gjendje përkohësisht, por i japin hove me ritme të pandalshme, zhvillimit të gjithë Komunës sonë", tha Agim Aliu.
Korniza afatmesme buxhetore, 2026-2028, parasheh në Ferizaj investime në projektet kapitale për rreth 45 milion euro.























